Aksidentet me fatalitet në rrugët e Kosovës, ekspertët kërkojnë radarë dhe kontroll më të rreptë në autostrada
Tre persona kanë humbur jetën në dy aksidente trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova” vetëm brenda katër ditësh, ndërsa që nga janari e deri më 20 nëntor kanë shënuar 99 aksidente me fatalitet.
Në një përgjigje për Ekonomia Online nga Policia e Kosovës kanë bërë me dije se përveç aksidenteve me fatalitet, janë edhe 8 mijë e 56 akidente që kanë përfunduar me lëndime.
Lidhur me këto raste, eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti thotë se nuk po respektohet shpejtësia e lejuar dhe po ashtu fajësoi edhe shtetin për mungesë investimesh në mjete digjitale që matin shpejtësinë e vozitësve.
“Jo së fundi, por kjo është një trend që e ka përcjellë Kosovën për 26 vjet. Do të thotë se nuk ka ndalje, nuk ka rënie, por ka vazhdimësi të aksidenteve në komunikacion. Nuk është problemi që rruga nuk është e mirë, nuk është problemi që rruga nuk po mirëmbahet ose që nuk ka sinjalizim horizontal e vertikal. Problematika qëndron te mosrespektimi i shpejtësisë së lëvizjes. Atje shkruan 120–130 km/h në autostradë, ndërsa ne e bëjmë gati dyfishin e saj dhe, si rezultat, kemi këtë numër të madh aksidentesh. Nëse pyesni pse ndodh kjo, fajin e ka shteti, sepse mungon inteligjenca artificiale, radarët mobilë e statikë dhe kamerat. Kamerat së fundmi kanë filluar të vendosen, ndërsa radarët mobilë dhe statikë jo. Për shembull, në vendet e Evropës vendosen në shtylla ndriçimi apo në automjete, marrin të dhënat, fotografojnë targat dhe vetëm shoferin, jo pasagjerët, për shkak të privatësisë. Këto të dhëna përpunohen në një qendër kontrolluese dhe, si rezultat, secilit person i shkon gjoba në adresën e shtëpisë. Kësisoj do të duhej të funksiononte edhe Kosova shumë më herët, sepse është parë se nuk mjafton vetëm syri i policit”, tha ai.
Ahmeti pati kritika edhe ndaj policisë, pasi sipas tij një pjesë e zyrtarëve janë dembelë dhe disa nuk kanë as patentë shoferi.
“Ne policinë nuk e kemi të korruptuar, por e kemi dembelë. Policia shpesh përton ta bëjë punën: shkon pas një njeriu që nuk jep shenjë dhe nuk e gjobit, hyn në dritën e portokalltë dhe prapë nuk e gjobit. Kam një përshtypje se këtë e bën vetë policia. Si rezultat i gjithë kësaj ndodhin këto raste. Më pas kemi edhe një numër policësh që nuk kanë as patentë shoferi; ata vetë nuk i dinë rregullat e komunikacionit. Ajo që është më shqetësuese është se nuk kemi kontroll të alkoolit dhe të drogës. Ka persona që konsumojnë alkool dhe drogë, ndërsa ne nuk kemi aparate matëse për t’i identifikuar, dhe si pasojë, jo rrallëherë qytetarë nën ndikimin e këtyre substancave ngasin automjete”, tha Ahmeti.
Më 12 dhjetor ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në këtë autostradë, saktësisht në kilometrin 26, ku janë përfshirë një veturë dhe një kamion. Si pasojë, kanë humbur jetën dy femra shtetase të Shqipërisë, ndërsa lëndime trupore ka pësuar shoferi i kamionit.
“Autostrada ‘Ibrahim Rugova’, 12.12.2025 – 07:40. Si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mes një veture dhe një kamioni, dy femra shtetase të Shqipërisë që kanë qenë në veturë kanë humbur jetën. Po ashtu, lëndime trupore ka pësuar edhe drejtuesi i kamionit, mashkull kosovar, i cili është dërguar për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore, kanë dalë edhe ekipet mjekësore dhe zjarrfikësit. Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhej në raportin e Policisë.
Me fatalitet ka përfunduar edhe një vetaksident i ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të Mazgitit. Një kamion është rrokullisur dhe, si pasojë, shoferi ka ndërruar jetë.
“Rreth orës 13:00, në segmentin e autostradës Mazgit–Prishtinë, ka ndodhur një vetaksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident është përfshirë një mjet i rëndë – kamion, i cili është rrokullisur. Si pasojë e këtij vetaksidenti, drejtuesi i kamionit ka humbur jetën, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore që po merren me rastin, kanë dalë edhe ekipi mjekësor dhe njësia e zjarrfikësve. Policia e Kosovës vazhdon të apelojë për respektimin e rregullave të trafikut dhe për kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në trafik”, pati deklaruar thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.