Shpallet i paligjshëm vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së

Shpallet i paligjshëm vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së

Aktuale December 22, 2025 - 13:58

Gjykata Themelore e shpalli të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave, vendim ky i 17 janarit të këtij viti.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“Sot e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin është aprovuar padia e OJQ Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe është deklaruar i paligjshëm Vendimi për Zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), i datës 17.01.2025”.

“Ky vendim konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës me rastin e zgjedhjes së Kryetarit të KPM-së. Po ashtu, ky vendim rikonfirmon rëndësinë e respektimit të parimit themelor të ligjshmërisë, me rastin e marrjes së vendimeve të tilla”, ka sqaruar Bajraktari.

Pas këtij vendimi, KPM-ja detyrohet t’ia paguajë Institutit të Kosovës për Drejtësi shpenzimet e procedurës në vlerë prej 239 eurosh.