Miftaraj: Partitë nuk kanë ofruar programe përmbajtjesore, strategji për t’i ikur përgjegjësisë

Miftaraj: Partitë nuk kanë ofruar programe përmbajtjesore, strategji për t’i ikur përgjegjësisë

Aktuale December 23, 2025 - 11:10

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se partitë politike fatkeqësisht nuk u japin rëndësi proceseve që lidhen me të ardhmen e vendit, integrimin evropian, pasi nuk i trajtojnë në programet e tyre politike.

“Nuk kanë ofruar fare program përmbajtjesor apo parime, objektiva të qarta lidhur me Vettingun, Strategjinë për sundimin e ligjit, funksionimin demokratik të institucioneve kushtetuese, luftën kundër korrupsion, qeverisjen me duar të pastra apo konfliktin e interesit”, ka thënë ai.

Në një konferencë për media, ku u publikua raporti “Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit në programet e partive politike”, Miftaraj tha se duket kjo është strategji e partive politike në mënyrë të t’i ikin përgjegjësisë.

“Ne nesër nëse duam ta masim punën e tyre, nëse këto parti politike nesër vinë në pushtet, atëherë nëse e masim me programe politike- mund të themi që nuk kanë obligime sepse këto që u përmenden në raport nuk janë në programe politike. Por, ne duhet ta masim punën e tyre me atë çka kanë konstatuar nëpër debate televizive, atë që kanë premtuar në fushatë politike”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, partitë politike serioze që synojnë të qeverisin me vendin, në programe janë shumë të dobëta, ndërsa në fushatë të premtojnë mrekulli se si do ta rregullojnë jetën e qytetarëve.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën organizoi konferencë për media, ku publikoi raportin “Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit në programet e partive politike (Zgjedhjet e parakohshme parlamentare – 28 dhjetor 2025)”, aktivitet i mbështetur nga National Endowment for Democracy. /BetimipërDrejtësi