Kandiq: Serbia po shmang përgjegjësinë shtetërore për krimet e luftës në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Kandiq: Serbia po shmang përgjegjësinë shtetërore për krimet e luftës në Kosovë

Aktuale December 23, 2025 - 17:40

Serbia vazhdon të shmangë një përballje reale me krimet e luftës të kryera gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duke refuzuar përgjegjësinë institucionale dhe politike për mijëra viktima.

Kështu ka deklaruar aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, në një intervistë për Novosti.

Kandiq tha se dështimi i iniciativës rajonale REKOM – Komisioni Rajonal për përcaktimin e fakteve mbi krimet e luftës – është pasojë direkte e mungesës së vullnetit të autoriteteve serbe për të pranuar rolin e shtetit në luftërat në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Sipas saj, REKOM ishte konceptuar si një mekanizëm zyrtar ndër-shtetëror që do të dokumentonte krimet e luftës, do të regjistronte të gjitha viktimat dhe do të sqaronte rrethanat e vrasjeve dhe zhdukjeve. Megjithatë, përfshirja e përgjegjësisë së institucioneve shtetërore serbe në këto hetime u konsiderua e papranueshme nga strukturat politike në Beograd.

“Dëshmitë e viktimave pranoheshin vetëm në nivel personal, por çdo përpjekje për të përcaktuar përgjegjësinë sistemike të regjimeve dhe institucioneve shtetërore u refuzua,” theksoi Kandiq.

Ajo rikujtoi se Serbia ka qenë e përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në disa luftëra në territorin e ish-Jugosllavisë, por asnjëherë nuk ka pranuar përgjegjësi shtetërore për krimet e kryera nga ushtria, policia dhe formacionet paramilitare të lidhura me Beogradin.

Duke folur për drejtësinë tranzicionale, Kandiq vlerësoi se proceset gjyqësore për krime lufte në Serbi janë të kufizuara, selektive dhe nën presion të vazhdueshëm politik. Sipas saj, prokuroria për krime lufte vepron në një ambient ku pushteti politik kontrollon narrativën dhe pengon hetimet që mund të çojnë drejt përgjegjësisë së niveleve të larta shtetërore.

Një nga problemet më serioze, sipas Kandiq, është manipulimi me çështjen e personave të zhdukur.

Ajo theksoi se autoritetet serbe posedojnë informacione për varreza masive dhe lokacione të trupave, por refuzojnë t’i bëjnë publike për arsye politike.

“Moszbulimi i varrezave masive nuk është rastësi. Është vendim politik për të shmangur përgjegjësinë për atë që ka ndodhur,” deklaroi ajo.

Pavarësisht kësaj klime, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd vazhdon dokumentimin e krimeve dhe viktimave, veçanërisht në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Kandiq përmendi edhe botimin e një libri për personat e zhdukur në Kosovë, si përpjekje për të ruajtur kujtesën dhe për t’u dhënë dinjitet viktimave.

Në përfundim, ajo paralajmëroi se pa një përballje të sinqertë të Serbisë me të kaluarën e dhunshme, pa pranimin e krimeve dhe pa përgjegjësi institucionale, rajoni do të mbetet peng i narrativave nacionaliste dhe mohimit, ndërsa viktimat do të vazhdojnë të mbeten pa drejtësi./teve1