“Festoni me zemër, kujdes dhe përgjegjësi” - Policia me mesazh për festat e fundvitit
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të festojnë festat e fundvitit me zemër, kujdes dhe përgjegjësi.
Zëdhënësi Baki Kelani e ka përcjellë mesazhin e Policisë për festa përmes një videoje.
“Në emër të Policisë së Kosovës, jua urojmë festat e fundvitit, me urimin që ju dhe familjet tuaja të gëzoni shëndet dhe mbarësi në jetë. Si çdo vit, edhe këtë vit, pritet të organizohen manifestime të ndryshme, si në ambiente familjare, në ambiente të hapura, po ashtu edhe në sheshe e lokacione të mbyllura”, tha Kelani.
Kelani tha mes të tjerash se për të kaluar festat sa më qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës ka hartuar me kohë planet policore të cilat parashohin masat dhe shtimin e prezencës policore.
“Mirëpo, një kontribut të madh dhe të pamohueshëm në siguri dhe parandalim të incidenteve mund të jepni edhe ju qytetarë të dashur dhe këtë më së miri mund ta bëni duke festuar në mënyrë të qetë e të drejtë, pa përdorim të mjeteve të rrezikshme, e sidomos pa përdorimin e tyre nga fëmijët. Andaj, të festojmë dhe të kontribuojmë së bashku, që këto festa të kalojnë të qeta dhe pa incidente”, u shpreh Kelani.