E goditi me grusht pasi u kapën në trafik dhe ia shkaktoi vdekjen, 5 vjet e gjysmë burgim të akuzuarit

E goditi me grusht pasi u kapën në trafik dhe ia shkaktoi vdekjen, 5 vjet e gjysmë burgim të akuzuarit

Aktuale December 24, 2025 - 13:56

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim dënues ndaj Dionis Gashit, duke e dënuar me burgim me kohëzgjatje me 5 vjet e 6 muaj për “Lëndim të rëndë trupor me pasojë vdekjen”.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësi Adnan Kamberaj, i cili tha se dënimi ndaj të akuzuarit do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit, të akuzuarit do t’i llogaritet në dënim edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Të njëjtit, me aktvendim të veçantë i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

I pandehuri obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 200 euro dhe në emër të fondit për viktimat të paguajë shumën prej 50 euro.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 maj 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Dionis Gashi akuzohej se më 12 dhjetor 2024, në kryqëzimin e rrugës “Dardania” me rrugën “Hajrullah Zymi”, në Fushë-Kosovë, pas një fjalosjeje në trafik në mes të tij dhe tani të ndjerit R.K., ka ardhur deri te goditja nga ana e të pandehurit në drejtim të të ndjerit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, tani i ndjeri del nga vetura e tij dhe shkon në drejtim të veturës ku ishte Dionis Gashi, ku edhe ky del nga vetura dhe në fjalosje e sipër e godet të ndjerin me grusht në kokë dhe nga goditja tani i ndjeri R.K., rrëzohet në tokë, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës, tani i ndjeri për shkak të goditjes kërkon tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Podujevë, të cilin me ndihmë të shpejtë e kanë transportuar në QKUK dhe nga aty në Qendrën Intensive për trajtim të mëtutjeshëm. Si pasojë e lëndimeve R.K., më 22 dhjetor 2024, ka vdekur.

Me këtë, Dionis Gashi akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndimi rëndë trupor ma pasoja vdekjen”, nga Neni 186, par. 5, lidhur me par1 të Kodit Penal.