Sot festohen Krishtlindjet, Dodë Gjergji bën thirrje për stabilitet politik
Foto: Laura Hasani

Sot festohen Krishtlindjet, Dodë Gjergji bën thirrje për stabilitet politik

Aktuale December 25, 2025 - 07:58

Besimtarët e krishterë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjen, ditën e lindjes së Jezu Krishtit.

Kjo festë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e krishterë dhe simbolizon lindjen e shpresës dhe dritës.

Për të krishterët në Kosovë dhe rajon, kjo ditë kremtohet me meshë në kisha dhe mbledhje familjare, ku dhurohet dashuri dhe bëhen urime për paqe e mirësi.

Ndryshe, ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji ka mbajtur pritjen solemne për festën e Krishtlindjes, ku tha se paqja duhet të mbretërojë në tërë botën dhe se urrejtja mes njerëzve nuk duhet të ekzistojë.

Ai bëri thirrje po ashtu se Kosova ka nevojë për stabilitet politik.

“Ndërsa po jua përcjell këtë porosi për një festë kaq madhështore, e ndiej të nevojshme t’ju ftoj që, në zgjedhjet e pas Krishtlindjes, të jemi të përgjegjshëm për të ardhmen tonë dhe të kontribuojmë të gjithë në restaurimin e gjendjes së jetuar gjatë këtij viti, duke kryer obligimin qytetar dhe duke ndjekur zërin e ndërgjegjes. Të kontribuojmë që vendi ynë të ketë një stabilitet të qëndrueshëm politik, t’i përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe të arrijë ta ruajë pacenueshmërinë e lirisë së besimit, të drejtën dhe lirinë e përcaktimit shpirtëror dhe multireligjiozitetin e kombit. Mbi të gjitha, dashurinë dhe aftësinë e bashkëjetesës ndërvëllazërore mes nesh, që është trashëgimi më e çmueshme prej të parëve tanë”, është shprehur ai.

Krishtlindja është festa më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera dhe festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit. /klankosova