Nga politika te paqja e dashuria - mesazhi i plotë i ipeshkvit Dodë Gjergji për Krishtlindje
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, gjatë meshës së Krishtlindjes, përveç thirrjeve për paqe dhe harmoni, ka drejtuar edhe një porosi të veçantë për politikanët dhe qytetarët e Kosovës në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë qytetare dhe vendimmarrjes sipas ndërgjegjes.
Ai ka vlerësuar se përmes pjesëmarrjes së vetëdijshme në zgjedhje, qytetarët mund të kontribuojnë në stabilitetin politik të vendit, përshpejtimin e integrimit evropian dhe ruajtjen e vlerave bazike të shoqërisë.
“Ndërsa po jua përcjell këtë porosi për një festë kaq madhështore, e ndiej të nevojshme t’ju ftoj që, në zgjedhjet e pas Krishtlindjes, të jemi të përgjegjshëm për të marrë vendimin sipas ndërgjegjes dhe për të restauruar gjendjen në vitin që po e lëmë pas, duke kryer obligimin qytetar. Pasi kështu do të kontribuojmë të gjithë që vendi ynë të ketë një stabilitet të qëndrueshëm politik, të përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe ta ruajë vlerat bazike të shoqërisë sonë”, tha ai.
Ipeshkvi i Kosovës foli edhe për gjendjen globale, duke theksuar se bota po përballet me pasoja të rënda për shkak të mungesës së dashurisë, arsyes dhe drejtësisë në vendimmarrje.
“Bota sot po përballet me frikën e shkatërrimit, pasi ka mbetur pa dashuri, po flet me gjuhën e urrejtjes, sepse e ka humbur fuqinë e arsyes dhe po merren vendim sipas interesave të fortëve dhe jo sipas drejtësisë. Mjerisht, kjo mënyrë e të menduarit, kjo formë e veprimit dhe kjo qasje ndaj njerëzit tjetrit po merr jetë njerëzish gjithandej botës ku ka luftë, padrejtësi e varfëri”, tha ai.
Sipas Dodë Gjergjit, kjo qasje ka pasoja të rënda edhe për brezat e rinj dhe për shpresën e tyre për të jetuar në paqe dhe dashuri.
“Kjo ka plagosur rëndë ndërgjegjen politike të botës. Mbi të gjitha po shkatërron shpresat e brezave të ri dhe po i bën të paaftë ata që të jetojnë në paqe dhe dashuri. Nuk është e mirë as gjendja mes nesh e për këtë nuk mund ta fajësojmë askënd, por të ndihemi bashkëfajtorë për çdo situatë që nuk e kemi në nivelin e duhur”, tha ai.
Ipeshkvi i Kosovës theksoi se vetëm përmes përgjegjësisë së përbashkët dhe angazhimit qytetar mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë dhe një e ardhme më e qëndrueshme për vendin.
“E ndjej të nevojshme t’ju ftoj të jemi më të përgjegjshëm për të restauruar gjendjen në të cilin kemi jetuar në vitin që po lëmë pas, duke kryer obligimin qytetar, pasi do të kontribuojnë të gjithë që vendi të ketë stabilitet të qëndrueshëm politik, të përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe të arrijë të ruajë vlerat bazike të shoqërisë sonë”, tha Dodë Gjergji. /eo