Ish-krerët e UÇK-së nga Haga shprehin ngushëllime për familjen Mustafa
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Pjetër Shala, Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj, të cilët po gjykohen në Hagë, kanë shprehur ngushëllime për familjen e Salih Mustafës me rastin e vdekjes së Jahja Mustafës.
Lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK), përmes një postimi në Facebook.
Sipas njoftimit, OVL UÇK ka pranuar një telefonatë nga Haga, përmes së cilës ish-krerët e UÇK-së kanë kërkuar që, përmes kësaj organizate, t’u përcillen ngushëllimet e tyre familjarëve të të ndjerit.
“Jemi pranë jush me respekt, solidaritet dhe përulje në këto çaste të rënda. Kujtimi për bacën Jahja do të jetojë përherë ndër ne”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Ndryshe, Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafës, i dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka vdekur të enjten, kanë bërë të ditur familjarët e tij.