“Ai u burgos tre herë” Flet djali i Ukshin Hotit: Ja pse kandidoj me Vetëvendosjen
Andin Hoti, djali i të ndjerit Ukshin Hoti, një prej figurave më të njohura të Kosovës gjatë pushtimit serb ka ndarë kujtime të rralla për babain e tij. Ai ka folur për burgosjet e tij dhe gjatë intervistës ka treguar një foto të rrallë nga vitet 1991-1992.
“Këto janë fotot më të pakta që fati ka dashur që unë të kem me babin tim për shkak të burgosjeve, përfshirë burgosjen e tretë që ai ka pasur gjatë regjimit serb. Në vitin 1981, për shkak të protestave të atëhershme për Kosovën Republikë, babai u burgos dhe u dënua me disa vite, ku më pas ka mbajtur pesë prej tyre. Pastaj, në vitin 1991, u burgos për herë të dytë. Ka edhe një video në një fshat gjatë demonstratave, ku kërkonte që të formoheshin edhe forcat e armatosura të Republikës së Kosovës. Burgosja e tretë e tij ishte në vitin 1994, dhe jeta ime atëherë ka qenë një jetë mes grilash me babin tim. Kjo foto duhet të jetë e vitit 1991-1992, dhe ngjitur me babin tim është profesor Arben Fetushi, djali i hallës sime. Tjetrin nuk e kam identifikuar ende. Para 15 vitesh, një qytetar në rrugë më pyeti për gjendjen time dhe të familjes sime nga ana ekonomike. Më tha: ‘Ke një pasuri që askush nuk e ka. Ke respektin që populli i Kosovës dhe shqiptarët kanë për ty, do të jetë pasuria jote më e madhe”. Ky është një privilegj i madh dhe një përgjegjësi e madhe, ku mundohem të mbart vlerat e Ukshin Hotit. Përgjegjësia është e madhe sepse nuk mund të jesh vetëm vetvetja. Vetja ime pak ka qenë vetvetja në marrëdhënie me publikun, duke marrë të mirëqenë që jam Hoti dhe duhet të kem një standard të komunikimit, të sjelljes etj.” – tha Andin Hoti në Euronews Albania.
Më pas ai ka shpjeguar edhe pse ka zgjedhur të jetë kandidat për zgjedhjet jashtëzakonshme që zhvillohen këtë të diel në Kosovë, në logon e Vetëvendosjes.
“Pse vendosa të garoj në zgjedhje dhe pse me Vetëvendosjen? Unë kam qenë pjesë e politikës nga viti 2013, pastaj kam qenë deputet në vitin 2017, dhe në 2020 jam tërhequr nga politika për çështje humane me të cilat jam marrë. Jam me Vetëvendosjen sepse më ka afruar në qëllimet politike, në vizionin që ajo ka për Kosovën, për popullin e vet, për dialogun dhe për shtetin e Kosovës. Nevoja për një kontribut më të drejtëpërdrejtë tek shteti dhe qytetarët e Kosovës është një arsye tjetër pse unë jam këtu. Edhe pse mund të ndihem i ri, ne duhet t’i dalim zot shtetit atëherë kur ka nevojë, veçanërisht pas kërcënimeve të fundit të Serbisë ndaj Kosovës, dhe e dini shumë mirë çfarë ka ndodhur këto vitet e fundit. Jam me Kurtin sepse ai ka krijuar një standard të ri në Kosovë dhe sot kemi një shtet të dinjitetshëm. Unë e di që betejën e ka zhvilluar UÇK-ja, por sot kemi pasur një betejë tjetër betejën për një shtet të dinjitetshëm. Sot Kosova flet si një shtet i dinjitetshëm dhe jo si një shtet inferior përballë BE-së apo Serbisë. 430 milionë euro janë dhënë vetëm për ushtrinë e Kosovës gjatë katër viteve të fundit, dhe një miliardë euro janë parashikuar të jepen gjatë mandatit të ardhshëm nëse Kurti fiton. Siguria në Kosovë ka qenë e nevojshme. Fatkeqësisht, kemi të bëjmë me një shtet kriminal si Serbia, dhe unë rezervoj të flas për të. Shteti është i barabartë për të gjithë, dhe këto janë disa prej arsyeve pse unë jam me Lëvizjen Vetëvendosja.” -tha Hoti.