Këto janë rezultatet – renditja e partive, rritjet dhe rëniet në zgjedhjet e fundit
Zgjedhjet e dyta parlamentare në Kosovë u mbajtën të dielën, më 28 dhjetor, pas dështimit për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ky proces i ri zgjedhor erdhi si pasojë e ngërçit politik që zgjati përgjatë gjithë vitit.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje po prin me mbi 49 për qind të votave, duke u renditur e para edhe në këto zgjedhje. Pas saj vjen Partia Demokratike e Kosovës me rreth 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me mbi 13 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.68 për qind të votave.
Një grafikë e publikuar nga Radio Evropa e Lirë krahason rezultatet e partive kryesore në tri palë zgjedhje: ato të vitit 2021, zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti dhe zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas këtyre të dhënave, Vetëvendosje kishte fituar 50.28 për qind në vitin 2021, 42.3 për qind në shkurt të këtij viti, ndërsa tani ka arritur në 49.3 për qind. PDK-ja ka shënuar rritje graduale nga 17.01 për qind në 2021, në 20.95 për qind në shkurt dhe 21.01 për qind në zgjedhjet e fundit. LDK-ja nga 12.73 për qind në 2021, pati rritje në shkurt, ndërsa tani ka 13.59 për qind. AAK-ja, ndërkohë, ka shënuar rënie krahasuar me dy proceset e kaluara zgjedhore.

Dukie u bazuar në rezultatet aktuale, ka nisur edhe ndarja e ulëseve në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje pritet të ketë 56 deputetë, PDK 23, LDK 15, Lista Serbe 10, AAK 6, ndërsa pakicat joserbe 10 deputetë.
Renditja e partive politike mbetet e njëjtë si në zgjedhjet e kaluara, megjithëse përqindjet kanë ndryshuar. Vetëvendosja ka dalë sërish e para, me rezultat më të mirë se ai i shkurtit të këtij viti, por më të ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa PDK, LDK dhe AAK ruajnë pozicionet e tyre në skenën politike të vendit.
