Analistët: Gabimet e opozitës ndikuan në fitoren e thellë të LVV-së
Foto: Laura Hasani

Analistët: Gabimet e opozitës ndikuan në fitoren e thellë të LVV-së

Aktuale December 30, 2025 - 22:11

Analistët kanë diskutuar sonte rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme, ndikimin e diasporës në realitetin politik si dhe diskursin publik.

Analisti Melazim Koci ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të fundit kanë qenë sipas tij, dhuratë e opotitës për LVV-në, pas refuzimit të votimit të formimit të Qeverisë së Kosovës me në krye mandatarin e propozuar të atëhershëm, Glauk Konjufca.

“Krijimin e qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit Kurti tanimë e ka të lehtë, nuk e ka asnjë problem. Ndonëse duhet thënë që pas dy muajsh, Kosova do të ballafaqohet me një sfidë bukur serioze, zgjedhjen e presidentit apo presidentes, aty duhet siguruar 80 vota. Këtë fjalor më të butë të Kurtit e shoh nga prizmi i pritjes së tij që të mos ketë ngërç dhe sigurimin e 80 numrave për zgjedhjen e  presidentit apo presidentes”, tha analisti Melazim Koci, duke komentuar gjuhën e kreut të LVV-së, Albin Kurtit, në mbrëmjen e sotme të organizuar për votuesit e tij.

Sadik Zeqiri ka thënë se diferencën në rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e kanë bërë votat e diasporës.

“Partitë politike janë dorëzuar për diasporën, madje LDK, PDK e AAK nuk i kanë certifikuar as komisionerët e tyre që t’i vëzhgojnë votat nëpër ambasada ku kanë votuar ata. Ata kanë hequr dorë duke e ditur që votat janë të drejtuara nga LVV. Andaj partitë politike nëse duan fitoren, duhet të orientohen edhe nga diaspora. Vota e madhe që ka bërë diferencën është ajo”, ka thënë ai.  

Ndërkaq në anën tjetër, Fatime Hajdari tha se vota më e madhe e LVV-së erdhi nga vet qytetarët rezidentë të Kosovës, pa anashkaluar ndikimin e diasporës.

“E konsideroj që dy tre momentume që opozita s’i ka lexuar mirë e ka vazhduar t’i kundërshtoj, ka ngjallur irritim te masa dhe është përkthyer te votat. Pajtohem që moment i rëndësishëm për të lëshuar pe e bashkëpunuar ka qenë votimi i qeverisë së Konjufcës, që pavarësisht që LVV s’do të kishin mandatin e fuqishëm do të kryheshin disa punë të rëndësishme dhe pastaj edhe te qytetarët do të amortizohej ai mllefi i krijuar për shkak të bllokadës institucionale”, tha Hajdari.

Ndërkohë Albin Kurti sonte organizoi tubim me simpatizantët e LVV-së, për t’i falënderuar për besimin e shprehur me votë. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 49,34 % të votave, derisa më pas radhiten PDK me 20.98 %, LDK me 13,57 % dhe AAK me 5.66 %. Ndërkaq deri më tani ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe subjekteve politike në 9 komuna, ndërkaq në 29 komuna procesi ende po vazhdon./rtk