Vdes Nexhat Daci
Ka vdekur sot akademiku dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci.
Lajmin e ka bërë të ditur ish-kryeparlametari Dimal Basha, i cili ka shprehur ngushëllime familjes Daci, transmeton Zeri.info.
Shkrimi i plotë nga Dimal Bashës:
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, një figurë të shquar të jetës politike dhe publike të vendit tonë.
Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Kuvendit të Kosovës, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të vendit tonë. Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës.
Trashëgimia e tij politike mbetet pjesë e historisë së Kuvendit dhe e përpjekjeve tona për shtetndërtim.
U prehtë në paqe.