Kurti për Nexhat Dacin: Ishte figurë kyçe e shtetndërtimit të Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit, ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në reagimin e tij, Kurti ka theksuar se Nexhat Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, duke udhëhequr institucionin ligjvënës në dy mandate, përkatësisht gjatë viteve 2000–2004 dhe 2004–2006. Ai ishte një nga figurat më aktive të jetës politike të Kosovës ndërmjet viteve 2001 dhe 2011, fillimisht si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më pas, nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë.
Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, duke lënë një kontribut të rëndësishëm në proceset kyçe të shtetndërtimit.
Kurti ka rikujtuar gjithashtu karrierën e pasur akademike të Dacit. I lindur më 26 korrik 1944 në fshatin Tërnoc të Bujanocit, ai kishte përfunduar studimet për kimi në Universitetin e Beogradit, ku kishte mbrojtur magjistraturën në vitin 1968. Doktoratën e kishte përfunduar në Universitetin e Zagrebit në vitin 1973, ndërsa studimet postdoktorale në Universitetin e Bradfordit në Mbretërinë e Bashkuar.
Nexhat Daci ishte profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës dhe autor i shumë punimeve shkencore në fushën e kimisë. Ai kishte shërbyer dy herë si kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në periudhat 1999–2004 dhe 2018–2019.
Në fund, Kurti ka shprehur ngushëllime për familjen Daci, kolegët akademikë dhe bashkëpunëtorët e tij, duke theksuar se Nexhat Daci do të mbetet një emër me rëndësi në historinë institucionale dhe akademike të Republikës së Kosovës.