Kurti për Dacin: Me maturinë dhe qetësinë e tij ai dha shembull sesi duhet kuvenduar
Në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës po mbahet akademi përkujtimore në nderim të ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci, i cili vdiq më 1 janar 2026 në moshën 81-vjeçare.
Në këtë akademi përkujtimore mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e nderoi figurën dhe kontributin institucional të Nexhat Dacit.
Në fjalën e tij, Kurti tha se vdekja e profesorit Nexhat Daci ka bashkuar sot përfaqësuesit institucionalë në Kuvend, në një periudhë kalimtare për institucionin legjislativ, kur legjislatura e kaluar është shpërndarë dhe ajo e re ende nuk është konsoliduar.
“Sot, më 2 janar 2026, një rast mortor na ka bërë bashkë këtu në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, në një periudhë të ndërmjetme për institucionin legjislativ të Republikës sonë, teksa legjislatura e kaluar e Kuvendit është shpërndarë, ndërsa legjislatura e re ende nuk është nxjerrë dhe konsoliduar. Ky mort na bëri të bashkohemi këtu në Kuvendin e Republikës.
Dje, më 1 janar 2026, vdiq në moshën 81-vjeçare profesori Nexhat Daci, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Përveçse themelues, ai ishte edhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë.
Sot paradite, shumë qytetarë kanë bërë homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa tani jemi mbledhur në këtë akademi përkujtimore. Vdekja e profesorit Daci na ka mbledhur në këtë sallë plenare, edhe për faktin se karriera e tij politike është e lidhur ngushtë me këtë vend dhe me këtë institucion.
Në dekadën e parë të periudhës pas çlirimit të Kosovës, Nexhat Daci kishte qenë deputet i zgjedhur i këtij Kuvendi ligjvënës, si dhe kryetar i tij për dy mandate, në vitet 2000–2004 dhe 2004–2006.
Për Kosovën që sapo ishte çliruar në vitin 1999, kur po viheshin themelet e një rendi të ri politik dhe vleror drejt demokracisë dhe pavarësisë, dhe kur po ndryshonin për herë të parë rregullat e të folurit në publik, Nexhat Daci pati për detyrë të drejtonte diskutimin në Kuvendin e Kosovës nga pozita e kryetarit. Me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike, ai dha shembull se si duhet kuvenduar në këtë Kuvend dhe se si duhet zhvilluar betejat politike nga foltorja dhe ulëset e këtij institucioni”, tha Kurti.
