Fetoshi: Goditja në Venezuelë ishte e pashmangshme

Fetoshi: Goditja në Venezuelë ishte e pashmangshme

Aktuale January 03, 2026 - 18:25

SHBA-ja po e humb durimin me aktorë kërcënues në shërbim të Rusisë, Kinës e Iranit. Në një reagim pas sulmeve të sotme amerikane në Venezuelë, Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e humbin durimin me aktorët që kërcënojnë rendin perëndimor, në krye me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe me shtetet proxy që veprojnë në shërbim të tyre.

Sipas tij, sulmet amerikane ndaj Venezuelës janë një mesazh i qartë global se epoka e tolerimit ndaj shteteve destabilizuese ka përfunduar, prandaj vlen si paralajmërim edhe për Serbinë nëse Vuçiq nuk e ndryshon qasjen ndaj Kosovës, shteteve të rajonit dhe demokracisë.

“Sulmet e sotme në Venezuelë janë kulmim i tensioneve të akumuluara nga një strategji hibride kundër interesave të SHBA-së dhe NATO-s, demokracisë dhe vlerave perëndimore, sepse një shtet narko-terrorist, me “Kartelin e Diejve” (“dielli” si simbol në uniformat e gjeneralëve, duke nënkuptuar përfshirjen e niveleve të larta të ushtrisë), që menaxhon dhe mbron trafikun e kokainës drejt SHBA-së dhe Europës, nuk është thjesht regjim i kriminalizuar nga kontrabanda, por një aktor destabilizues rajonal që duhet të parandalohet”, ka shkruar Fetoshi.

Duke e lidhur këtë me Ballkanin, Fetoshi vlerëson se Serbia ndjek të njëjtin model hibrid, por në mënyrë më të kamufluar. “Përmes të ashtuquajturës ‘politikë neutraliteti’, Serbia ka thelluar lidhjet strategjike me Rusinë, ka zgjeruar bashkëpunimin me Kinën dhe, paralelisht, ka përfituar miliarda euro nga procesi i integrimit europian, derisa nuk ka reshtur së provokuari sigurinë dhe stabilitetin rajonal, me fokus të veçantë sabotimin e Republikës së Kosovës”, thekson Fetoshi.

Sipas tij, kjo qasje nuk pranohet më tutje në Uashington, ku nëse i referohemi Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së (NDAA) –Serbia tashmë po shihet si vektor aktiv i ndikimit rus dhe kinez në Ballkan.

“Nëse Serbia nuk e ndryshon qasjen dhe vazhdon politikën agresive ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, rrezikon të përballet me masa shumë më të ashpra. Presidenti Trump po e humb durimin me shtetet që shtiren si ‘neutrale’, por në praktikë i shërbejnë sabotimit të demokracisë dhe vlerave perëndimore,” përfundon Fetoshi. /rtk