Përmendi
Foto: Laura Hasani

Përmendi "prerje koke" në një shkrim për Osmanin, Presidenca paralajmëron padi ndaj Lirim Mehmetajt

Aktuale January 03, 2026 - 18:59

Presidenca e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të gazetarit Lirim Mehmetaj, duke i cilësuar thirrjet e tij për “prerjen e kokës” së Presidentes Vjosa Osmani si nxitje të drejtpërdrejtë të dhunës, urrejtjes dhe sulmit fizik.

Në reagimin zyrtar nga këshilltari për media i presidentes Bekim Kupina, thuhet se një gjuhë e tillë nuk përbën liri të shprehjes dhe nuk mbrohet as nga Kushtetuta e Kosovës e as nga standardet demokratike ndërkombëtare, transmeton Zeri.info.

Presidenca u ka bërë thirrje organeve kompetente që, sipas detyrës zyrtare, ta trajtojnë menjëherë këtë rast si kërcënim serioz dhe nxitje të dhunës.

Sipas reagimit, deklarimet e Mehmetajt ndaj Presidentes Osmani cilësohen si shpifje të rënda, të pabazuara në fakte dhe të ndërtuara mbi gënjeshtra të përsëritura, me synim diskreditimin personal dhe institucional të Presidentes dhe familjes së saj. Theksohet se këto deklarime nuk kanë për qëllim kritikë politike apo debat publik, por krijimin e një klime urrejtjeje dhe linçimi.

Presidenca thekson se Presidentja Osmani nuk ka kërcënuar, shantazhuar apo ushtruar presion politik ndaj askujt, ndërsa pretendimet për korrupsion, pasuri multimilionëshe, shitje vote apo investime të paligjshme në Shqipëri cilësohen si të pavërteta dhe manipuluese.

Në reagim përmenden edhe akuzat ndaj babait të Presidentes, për të cilat thuhet se janë shpifje të rënda dhe moralisht të papranueshme, duke rikujtuar se ai ka qenë i burgosur dhe i torturuar në burgjet e regjimit të Millosheviqit. Për këto akuza, sipas Presidencës, ekzistojnë vendime të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës që i kanë vërtetuar si të pavërteta.

Veçanërisht shqetësuese, sipas reagimit, konsiderohet gjuha e përdorur nga Mehmetaj, e cila përfshin thirrje të hapura për dhunë dhe linçim, duke kaluar çdo kufi moral, njerëzor dhe ligjor.

Në përfundim, Presidenca njofton se Presidentja e Republikës së Kosovës dhe familja e saj do të ndërmarrin hapa ligjorë ndaj Lirim Mehmetajt për shpifje dhe kërcënime, duke theksuar se çdo vazhdim i kësaj fushate do të trajtohet përmes të gjithë mekanizmave juridikë në dispozicion

Kujtojmë se në një shkrim në facebook, Mehmetaj kishte permendur babain e Osmanit, duke e akuzuar si bashkëpunëtor i Jugosllavisë, ndërsa presidenten e ka akuzuar se ka shitur votën e saj për interesa personal.

"Nuk e di e ngrata qe ajo, bashke me hajdutet e tjere te pushtetit aktual, po mbrehin tehun me te cilin do t’iu pritet koka ketyre vete", ka shkruar Mehmetaj.

Shkrimi i plotë i Lirim Mehmetaj:

Te instaluar metoden e kercenimit e shantazhit ndaj shqiptareve nga babai i saj, Raif Jugosllavi, noterja e krejt poshtersive te Albin Kurtit, paska kercenuar partite opozitare se ose e votojne ose i ballafaqon ne zgjedhje ajo.

Krejt e dijme qe Lista Guxo si e vetme ne zgjedhje del diku mes 1.2 e 1.7%, ama keta kercenojne edhe me halete te huaja, mjafton qe pronari t’ua lejoje ne shfrytezim.

Vjosa Osmani e Faton Peci me ngjajne sikur ata qe krekosen me veturen e marre ne Rent a Car.

Kjo te huazuar nuk e ka vec pasurine multimilioneshe qe e ka vjedhur nga populli, te cilin cdo dite e mashtron.

Gazetaret e dijne, Vjosa Osmani, ka qene deputetja qe me shume se asnje tjeter e ka shitur voten e saj, sa here ka pasur nevoje ndonje kompani e madhe per ndonje ligj te caktuar.

Tash, me investimet e medha ne Shqiperi, ajo beson se ia ka hedhur per gjenerata.

Nuk e di e ngrata qe ajo, bashke me hajdutet e tjere te pushtetit aktual, po mbrehin tehun me te cilin do t’iu pritet koka ketyre vete.