Pritje të gjata në disa pika kufitare të Kosovës, kolona deri në një kilometër në dalje
Në disa pika të kalimit kufitar të Kosovës janë shënuar pritje të konsiderueshme për automjete, veçanërisht në dalje nga vendi, në një kohë kur mërgimtarët po kthehen në vendet ku jetojnë pas festave të fundvitit në Kosovë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pika kufitare e Merdarës paraqet gjendjen më të rënduar, ku pritjet në dalje arrijnë deri në 110–130 minuta, ndërsa kolona e automjeteve shkon deri në 1 kilometër. Edhe në pikën kufitare Jarinjë, pritjet në dalje janë të gjata, nga 110 deri në 120 minuta, me kolona që arrijnë deri në 300 metra, transmeton Zeri.info.
Ngarkesë më e madhe vërehet edhe në Dheun e Bardhë, ku pritjet në dalje janë rreth 45 minuta, me kolona prej 300 metrash, ndërsa në hyrje kolona arrin rreth 200 metra. Në Muçibabë, pritjet në dalje janë rreth 20 minuta, me kolona deri në 300 metra.
Në pikat e tjera kufitare si Bërnjak, Glloboçicë, Hani i Elezit, Kullë, Mutivodë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Stançiq dhe Vërmicë, qarkullimi i automjeteve po zhvillohet kryesisht pa kolona dhe me pritje minimale, që variojnë nga 1 deri në 5 minuta.
Sa i përket kamionëve, në të gjitha pikat kufitare raportohen pritje të ulëta, prej 3 deri në 5 minuta, pa kolona të evidentuara si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Autoritetet u rekomandojnë qytetarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në kufi dhe, nëse është e mundur, të shfrytëzojnë pikat alternative të kalimit për të shmangur pritjet e gjata.
Të dhënat janë përditësuar më 04.01.2026, në orën 14:22./Zëri
