Haxhiu: Qëllimi ynë i qartë, një sistem i drejtësisë plotësisht i pavarur
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nga ky muaj Këshilli Prokurorial i Kosovës fillon punën me përbërjen e re ligjore prej 7 anëtarësh.
Sipas saj, për dallim nga përbërja e kaluar, balanci mes anëtarëve prokurorë dhe joëprokurorë është dukshëm më i afërt.
“Kjo siguron që KPK, si një institucion kyç për funksionimin e drejtësisë, të mos mbetet një rreth i mbyllur i grupeve të interesit brenda sistemit prokurorial, por të përfshijë edhe zëra të pavarur nga jashtë, që marrin vendime pa u ndikuar nga askush”, ka shkruaj ajo.
Haxhiu ka paralajmëruar se me t’u konstituuar Kuvendi, do të zgjidhet edhe anëtari i mbetur joëprokuror. “Përmes një procedure që garanton përzgjedhjen e një kandidati të përgatitur dhe pa ndikime politike, e i cili propozohet nga Komisioni me përbërje profesionale, ashtu siç parasheh Ligji i ri”, ka shkruar tutje, Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se qëllimi i tyre është i qartë, një sistem i drejtësisë, sipas saj, plotësisht i pavarur, i paanshëm dhe i pandikuar.
“Si përfaqësues të besuar të qytetarëve, mbetemi të përkushtuar të çojmë deri në fund pjesën tjetër të reformës në drejtësi. Qëllimi ynë është i qartë dhe më i fortë se asnjëherë më parë, një sistem i drejtësisë plotësisht i pavarur, i paanshëm dhe i pandikuar as nga jashtë e as nga brenda, që u ofron qytetarëve drejtësi efikase dhe të besueshme”, ka thënë Haxhiu.