Gjykimet në mungesë rrisin numrin e rasteve për krime lufte, pengesë mbetet Serbia
Prokuroria Speciale, Departamenti për Krime të Luftës, me vetëm pesë prokurorë, ka ngritur 80 aktakuza për krime lufte ndaj 260 personave gjatë 10 viteve të fundit, ndërsa lejimi i gjykimeve në mungesë ka rritur ndjeshëm numrin e rasteve të trajtuara. Sfidë kryesore mbetet mungesa e bashkëpunimit me Serbinë, gjë që vështirëson hetimet dhe gjykimet për krimet e luftës.
Me rreth 1,000 lëndë të trashëguara nga misioni i EULEX-it dhe një numër të konsiderueshëm aktakuzash të ngritura për krime lufte, vetëm pesë prokurorë të Prokurorisë Speciale përballen me mbledhjen e fakteve që ndërtojnë një aktakuzë. Gjatë dekadës së fundit janë ngritur 80 aktakuza ndaj 260 personave.
Trajtimi i çështjeve penale për krime lufte shkakton vështirësi për shkak të mosbashkëpunimit të Serbisë. Megjithatë, lehtësim ka sjellë ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, i cili që nga viti 2023 parashikon gjykimin në mungesë. Që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Prokuroria Speciale ka ngritur 20 aktakuza në mungesë ndaj 102 personave, përfshirë rastin e masakrës së Mejës dhe dëbimin e popullsisë civile.
"Për 20 vite nuk kemi pasur një autoritet për hetimin e këtyre veprave penale. Mundësitë tona janë brenda këtyre pesë viteve të fundit, me aq sa kemi kapacitete. Vetë fakti që kemi një numër të konsiderueshëm aktakuzash tregon që po shkojmë në drejtimin e duhur. Zgjidhja për këtë çështje është një strategji nacionale për adresimin e të gjitha problemeve në fushën e krimeve të luftës", tha Ilir Morina, prokuror i Prokurorisë Speciale.
Gjatë vitit 2025, Departamenti i Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale ka ngritur 11 aktakuza për krime lufte, prej të cilave 7 në mungesë. Ndërkohë, janë shpallur 9 aktgjykime, 8 dënuese dhe 1 lirues, me 9 persona të arrestuar.
"Zhvillimet më të mëdha kanë ndodhur si pasojë e ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, me lejimin e gjykimeve në mungesë. Duke qenë se prokurorisë dhe gjykatës u është lejuar të vazhdojnë gjykimet në mungesë, ka pasur rritje të numrit të aktakuzave, por edhe të gjykimeve në përgjithësi. Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë është zero. Nuk ka as shkëmbim informacionesh, as dokumentacioni, nuk lejohet as shkëmbimi i ftesave dhe njoftimeve për rastet që po hetohen ndaj shtetasve të tyre. Çdo refuzim për bashkëpunim është pengesë për një hetim të mirëfilltë dhe për një gjykim të drejtë, si dhe pengon vërtetimin e fakteve", theksoi Nisa Ferati nga FDHK.
Aktualisht, për masakrën e Mejës është ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 53 personave, pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe. Për këtë rast është mbajtur shqyrtimi fillestar.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sfidë e vazhdueshme mbetet gjithashtu numri i vogël i gjyqtarëve, për shkak të avancimeve në gjykata, gjë që ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e proceseve për krimet e luftës. /RTK