Kush do të jetë presidenti i ardhshëm? – Dalin emra të rinj në horizont
Foto: Laura Hasani

Kush do të jetë presidenti i ardhshëm? – Dalin emra të rinj në horizont

Aktuale January 05, 2026 - 22:59

Analistët politikë kanë diskutuar në emisionin Debat Plus skenarët e mundshëm për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja vetëm për një emër të vetëm.

Analisti Sadri Ramabaja ka deklaruar se kandidati për president mund të vijë nga bota akademike apo edhe përtej Atlantikut, duke nënkuptuar diasporën. Sipas tij, vendimi politik tashmë është marrë nga qytetarët dhe nuk ia vlen që vendi të futet në zgjedhje për postin e presidentit.

“Dorën në zemër, nuk ia vlen barra qiranë që të shkohet në zgjedhje për president”, ka thënë Ramabaja, duke shtuar se kjo vlen jo vetëm për presidenten aktuale Vjosa Osmani, por për këdo që do të ishte kandidat. Ai ka theksuar se është luks i tepruar që sistemi politik të dërgohet në zgjedhje për pozitën e një individi.

Ramabaja nuk ka përjashtuar as mundësinë që Glauk Konjufca të jetë kandidat për president, por ka theksuar se mund të kërkohet një figurë konsensuale, e pranueshme edhe për opozitën, pasi nevojiten 80 vota për zgjedhjen e presidentit.

Ndërkohë, analisti Imer Mushkolaj ka deklaruar se nuk e sheh të mundshme që kryeministri Albin Kurti ta propozojë sërish Vjosa Osmanin për një mandat tjetër. Sipas tij, sinjalet e Kurtit lënë të kuptohet se mund të ketë një emër tjetër konsensual, me mbështetje më të gjerë sesa vetëm brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

“S’besoj se do të ketë zgjedhje vetëm për një emër”, ka thënë Mushkolaj, duke shtuar se mungesa e kandidatëve konkretë për momentin e bën të vështirë analizën më të thellë të situatës.

Analisti Ylli Hoxha ka theksuar se gjithçka varet nga qasja politike dhe gatishmëria për kompromis. Ai ka thënë se pas zgjedhjeve të fundit, Albin Kurti ka një mandat të fortë elektoral dhe nuk e ka problem rizgjedhjen si kryeministër.

Sipas Hoxhës, nëse krijohet një klimë bashkëpunimi politik, nuk ka arsye për mosakordancë dhe kjo mund të hapë rrugën për ndërtimin e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, pa e çuar vendin në zgjedhje të reja. /telegrafi

 

 

ë