Vërshime e rrëshqitje dheu në Klinë, Elezaj në terren
Zenun Elezaj, kryetari i Komunës së Klinës, ka njoftuar më 05.01.2026 se ka vizituar disa zona të prekura nga vërshimet në territorin e komunës.
Kryetari Elezaj është shoqëruar nga Qëndrim Millaku, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjente si dhe Qemajl Sejdija, drejtori i Arsimit.
Qëllimi i vizitës së tyre ishte vlerësimi nga afër i gjendjes në terren.
“Ekipet e angazhuara nga komuna kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës në terren, duke ndërmarrë intervenimet e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e dëmeve të shkaktuara. Po ashtu, jemi në koordinim të vazhdueshëm për të siguruar reagim të shpejtë dhe efikas.” – ka shkruar Elezaj në Facebook, më 05.01.2026.
Sipas Elezajt, situata po përcillet në mënyrë të vazhdueshme dhe Komuna e Klinës mbetet në gjendje të plotë gatishmërie për të intervenuar kudo që paraqitet nevoja.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe, në rast nevoje, të raportojnë te shërbimet emergjente të komunës.” – ka shtuar Elezaj.
Sipas fotografive të publikuara nga kryetari Elezaj në disa zona ka pasur rrëshqitje dheu, e diku vërshime të oborreve dhe bodrumeve të shtëpive.