Vërshimet në Kosovë, IHMK-ja me njoftim të ri
Foto: Zëri / Ilustrim

Vërshimet në Kosovë, IHMK-ja me njoftim të ri

Aktuale January 06, 2026 - 09:08

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa zona të caktuara të vendit, shkruan Zeri.info.

IHMK-ja ka bërë të ditur se këto reshje do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim dhe kësisoj do të ketë edhe vërshime të cilat do të shkaktojnë edhe probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik.

Sipas IHMK-së, aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht ata në pjesën qendrore, lindore dhe jugore (Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës etj.) paraqesin ngritje të lehta të nivelit të ujit.

Njoftimi i plotë i IHMK-së, pa ndërhyrje:

Prishtinë

06/01/2026

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

NJOFTIM

Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Klinë etj.), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale. Si rezultat, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre.

Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik.

Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht ata në pjesën qendrore, lindore dhe jugore (Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës etj.) paraqesin ngritje të lehta të nivelit të ujit. /Zëri