Durmishi: Jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar me reshjet e shiut
Që nga mbrëmë në Kosovë kanë nisur reshje intensive të shiut, ku si pasojë disa komuna janë duke u përballur me vërshimet.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se janë në gjendje gatishmërie për të menaxhuar situatën me reshjet, transmeton Zeri.info.
Ai ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke apeluar që shoferët të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës.
“Që nga mbrëmë jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar sa më mirë reshjet e shiut, të cilat kanë ndikuar edhe në disa nga rrugët tona. Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjmë kudo që është e mundur për të përmirësuar kushtet e qarkullimit.
Megjithatë, na duhet edhe bashkëpunimi juaj, ju lusim të vozitni me kujdes të shtuar dhe t’u përshtateni kushteve të rrugës”, ka shkruar Durmishi. /Zëri