Ndërpritet rryma në Drenas, pas vërshimeve në nënstacionin e KEDS-it

Ndërpritet rryma në Drenas, pas vërshimeve në nënstacionin e KEDS-it

Aktuale January 06, 2026 - 10:46

KEDS-i ka njoftuar se, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV, është ndërmarrë masa e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike në zonën e Drenasit.

Sipas njoftimit, uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik. Për këtë arsye, ndërprerja e energjisë është bërë si masë parandaluese për të shmangur rreziqe të mëdha teknike dhe të sigurisë, transmeton Zeri.info.

KEDS-i bën të ditur se autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Njësitë e Zjarrfikësve, janë njoftuar dhe ndodhen në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës.

Po ashtu, gjendja është vlerësuar si jostabile edhe në komunat e Malishevës dhe Rahovecit, ku për shkak të vërshimeve është ndërprerë furnizimi me energji elektrike deri në stabilizimin e plotë të situatës dhe krijimin e kushteve të sigurta.

Ekipet e KEDS-it janë në terren dhe po punojnë intensivisht për menaxhimin e situatës dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike sapo të eliminohet rreziku.

Nga KEDS-i kërkohet mirëkuptim nga qytetarët, duke theksuar se ata do të mbahen të informuar me njoftime të tjera në vazhdim. /Zëri