Gjakova nën vërshime, Kuvendi Komunal mban mbledhje sikur të mos ndodhte asgjë
Rajoni i Gjakovës po përballet me vërshime serioze si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Në disa zona uji ka depërtuar në shtëpi dhe biznese, duke shkaktuar shqetësim të madh te qytetarët dhe rrezik për dëme materiale.
Qytetarë të shumtë kanë raportuar situata të vërshimeve, ndërsa lumi Krena ka shënuar rritje të ndjeshme të nivelit të ujit. Megjithatë, pavarësisht kësaj gjendjeje alarmante, udhëheqësit e Komunës së Gjakovës duket se e kanë trajtuar situatën si normale, pasi sot kanë mbajtur mbledhje të rregullt të Kuvendit Komunal, shkruan Zeri.info.
Deri më tani i vetmi njoftim i publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Gjakovës ka të bëjë me zhvillimin e kësaj mbledhjeje, ku janë betuar katër anëtarë të rinj të Kuvendit Komunal dhe janë zgjedhur anëtarët e dy komiteteve. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i sapozgjedhur i komunës, Ardian Gjini.
Ndërkohë, as në faqen zyrtare të Komunës së Gjakovës dhe as në atë të kryetarit Gjini nuk ka asnjë informacion apo njoftim zyrtar lidhur me gjendjen emergjente në terren dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët si pasojë e vërshimeve, çka ka nxitur reagime dhe pakënaqësi në opinionin publik për mungesë transparence dhe komunikimi institucional./Zëri