Vërshime në Gjakovë pas reshjeve të dendura, zjarrfikësit evakuojnë disa familje
Foto: Facebook

Vërshime në Gjakovë pas reshjeve të dendura, zjarrfikësit evakuojnë disa familje

Aktuale January 06, 2026 - 14:07

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, shumë zona të qytetit të Gjakovës janë përfshirë nga vërshimet, duke krijuar situatë të rënduar për një numër qytetarësh.

Nga Njësia e Zjarrfikësve në Gjakovë bëhet e ditur se ekipet emergjente janë angazhuar në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe po intervenojnë pa ndërprerë për menaxhimin e situatës dhe ndihmën ndaj qytetarëve të prekur.

“Si pasojë e reshjeve të dendura, shumë zona të qytetit janë përfshirë nga vërshimet. Ekipet e Njësisë së Zjarrfikësve janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit, duke intervenuar pa ndërprerë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e zjarrfikësve.

Sipas tyre, ndërhyrjet kanë përfshirë evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, sigurimin e objekteve dhe menaxhimin e situatave emergjente, me fokus kryesor mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.

“Ndërhyrjet tona përfshijnë evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, sigurimin e objekteve dhe menaxhimin e situatave emergjente, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve”, theksohet më tej.

Nga Njësia e Zjarrfikësve në Gjakovë bëjnë të ditur se ekipet mbeten në gatishmëri të plotë dhe do të vazhdojnë intervenimet sipas nevojës, në koordinim me institucionet përkatëse.

“I ftojmë qytetarët që për çdo rast emergjent të kontaktojnë numrat zyrtarë 193 ose 112 dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve”, thuhet në apelin drejtuar qytetarëve.