Lladrovci: Drenasi po përballet me vërshime të mëdha, dhjetëra shtëpi dhe biznese të përmbytura
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se komuna po përjeton vërshime serioze, të cilat, sipas tij, do të mbahen mend për nga përmasat dhe pasojat.
Në një reagim publik, Lladrovci ka bërë të ditur se që nga orët e mëngjesit niveli i ujit është rritur vazhdimisht, duke shkaktuar vërshimin e dhjetëra shtëpive, bizneseve dhe hapësirave publike. Si pasojë, disa rrugë kryesore janë ndërprerë për qarkullim, përfshirë drejtimin për Komoran, zonën te Trafoja dhe te ura e Bucollëve, ndërsa vështirësi po paraqiten edhe te ura e Shtrubullovës.
Sipas tij, dalja në magjistrale aktualisht po realizohet përmes rrugëve alternative, ndërkohë që qindra hektarë tokë bujqësore janë të vërshuara. Po ashtu, energjia elektrike është ndërprerë për arsye sigurie, për shkak të rrezikimit të trafos kryesore të Komunës, ndërsa priten vështirësi edhe në furnizimin me ujë.
Kryetari i Drenasit ka falënderuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për gatishmërinë e ofruar për përkrahje, si dhe ministrat në detyrë Elbert Krasniqi dhe Hysen Durmishi, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, qytetarët për solidaritetin e treguar, zyrtarët komunalë dhe institucionet e tjera të angazhuara në menaxhimin e situatës, transmeton Zeri.info.
Ai ka falënderuar gjithashtu të gjithë ata që kanë shprehur brengosje dhe përkrahje për qytetarët dhe pronat e prekura nga vërshimet.
Në fund, Lladrovci ka theksuar se Komuna e Drenasit do të mbetet e angazhuar me të gjitha kapacitetet për përballimin e gjendjes dhe ka ftuar qytetarët për kujdes të shtuar, duke kërkuar që të respektohen ndalesat e organeve kompetente për qarkullim në disa segmente rrugore.