KGJK-ja me mungesë gjyqtarësh, sfidë mbetet buxheti i pamjaftueshëm
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) edhe më tej po vazhdon të përballet me mungesë gjyqtarësh, ndonëse viti 2025 është përmbyllur me zgjidhjen e një numri të madh lëndësh.
Sfidë edhe më tej mbetet buxheti i pamjaftueshëm, përballë ngarkesës së madhe, sidomos lëndët që vijnë nga administrate publike, gjë që edhe vonon gjykimin brenda afateve të arsyeshme kohore.
Pavarësisht se numri i lëndëve që kanë marrë epilogun e zgjidhjes është mbi 58 mijë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon ta ketë sfidë numrin e vogël të gjyqtarëve në raport me kërkesat e punës.
Mungesa e një buxheti të mjaftueshëm, sipas drejtuesve të këtij këshilli, krijon një hendek dhe kufizim të drejtpërdrejtë në kapacitetet e gjykatave. Problemet e identifikuara pritet të jenë pjesë e një plani strategjik të gjyqësorit përgjatë dy viteve të ardhshme.
“Ne i kemi identifikuar problemet e brendshme dhe kemi premtuar ndryshimet që janë përfshirë në pakon e reformimit dhe përmes dokumenteve, po vazhdojmë reformën e brendshme sa i përket qasjes në drejtësi dhe llogaridhënies. KGJK është duke punuar intensivisht për miratimin e planit strategjik gjyqësori 2026-2028 me detyra shtesë për fuqizimin e trupave monitoruese. Ne kemi dëshmuar për tre vite që komisioni monitorimit I supremes ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm në sensibilizim e gjyqësorit por edhe në rekomandimet që janë dhënë KGJK-së për planifikimet e ardhshme”, tha për RTK-në Albert Zogaj, kryesues i KGJ-së,
Ndërkohë, me një performancë më të lartë në llogaridhënie e vlerësojnë Këshillin Gjyqësor, monitoruesit e drejtësisë, gjë që sipas tyre paraqet një tablo tjetër në raport më Këshillin Prokurorial.
“Në kuptim të aspektit gjyqësor vazhdon të jetë problematike aspekti I ngarkesës me lëndë veçanërisht në fushën e drejtësisë civile e cila kryesisht vije nga mungesa e përgjegjshmërisë së institucioneve të tjera që kanë mbingarkuar gjyqësorin me numër të lëndëve. Për vonesat e trajtimit të lëndëve, mirëpo vonesat në trajtimin e lëndëve, përpos që është një faktor dominant nuk vijnë vetëm nga kjo qasje por edhe nga aspektet e tjera të mënyrës së administrimit të rasteve në kuptimin e mënyrës së procedimit të rasteve , seancave, e këto aspekte ndikojnë më pastaj që qytetarët të mos ketë një gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor”, tha Gzim Shala nga IKD-ja.
Ngarkesa e madhe e çështjeve gjyqësore, veçanërisht numri i madh i lëndëve të paraqitura nga administrata publike, ishin sfida për sistemin gjyqësor, duke e penguar atë në dhënien e epilogut të proceseve gjyqësore brenda një afati të arsyeshëm kohor.