SBASHK: Nuk lejojmë fillimin e procesit mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet e ditëve të fundit, duke theksuar se siguria në shumë shkolla është seriozisht e rrezikuar.
Në reagimin e saj, SBASHK-u vlerëson se kjo gjendje ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore në Kosovë mbetet e pambrojtur, ndërsa reagimi institucional, sipas sindikatës, shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik, transmeton Zeri.info.
SBASHK-u ka përkrahur vendimet e disa Drejtorive Komunale të Arsimit, si dhe vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke theksuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.
Megjithatë, sindikata thekson se shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme pa veprime konkrete. SBASHK-u ka kërkuar inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat, vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore, sanim urgjent të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku për nxënësit dhe mësimdhënësit, si dhe transparencë e përgjegjësi institucionale.
Në veçanti, kërkohen inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, përfshirë Drenasin, Malishevën, Suharekën, Fushë Kosovën, Klinën, Gjakovën, Dragashin dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze.
SBASHK-u ka lëshuar edhe paralajmërim sindikal, duke bërë të ditur se nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse nuk veprojnë me kohë dhe seriozitet, sindikata paralajmëron ndërmarrjen e veprimeve sindikale në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të punëtorëve të arsimit.
“Siguria nuk negociohet”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.
Reagimi i plotë:
Reagim i SBASHK-ut
Reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet e ditëve të fundit kanë krijuar rrezik serioz për sigurinë në shumë shkolla dhe për familjet e punëtorëve të arsimit. Kjo situatë ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore mbetet e pambrojtur dhe se reagimi institucional shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
SBASHK përkrah vendimet e disa Drejtorive Komunale të Arsimit, si dhe vendimin e MASHTI-t për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke vlerësuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.
Megjithatë, shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete.
SBASHK-u kërkon urgjentisht:
Inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat;
Vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore;
Sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku për nxënësit dhe mësimdhënësit;
Transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Në veçanti kërkojmë inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, si:
Drenasi, Malisheva, Suhareka, Fushë Kosova, Klina, Gjakova,Dragash dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze.
Paralajmërim sindikal:
SBASHK-u nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK-u do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj.
Siguria nuk negociohet.
SBASHK-u – në mbrojtje të punëtorëve të arsimit.