Refuzohet kërkesa për përjashtimin e prokurorit në rastin e sulmit në Ibër-Lepenc
Prokuroria Speciale e Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu nga lënda për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Këtë e ka konfirmuar për teve1.info Arbnora Luta, zëdhënëse e PSRK-së.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, ka thënë ajo.
Vëllezërit Viqentijeviq, të akuzuar për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, në seancën e parë të mbajtur më 24 dhjetor kishin kërkuar përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu.
Më 9 dhjetor të vitit 2025 Prokuroria Speciale kishte njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, i kryer më 29 nëntor të vitit 2024.