Thotë se u fut në listë pa dëshirën e tij, kandidati për deputet kërkon anulimin e zgjedhjeve

Thotë se u fut në listë pa dëshirën e tij, kandidati për deputet kërkon anulimin e zgjedhjeve

Aktuale January 07, 2026 - 14:57

Koalicioni Vakat ka fituar një ulëse në Kuvendi e Kosovës, derisa sipas rezultateve preliminare ka marrë 3.933 vota.

Kryetari i saj Rasim Demiri është bërë deputet, por ai mund të përballet edhe me një kallëzim penal që ka paraqitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kandidati për deputetë në listën e Koalicionit Vakat, Enis Bajrami, shkruan Zeri.info.

Avokati i Bajramit, Gent Gjini, në një prononcim për “Zërin”, ka thënë se përmes kallëzimit penal, kërkon pezullimin e formimit të qeverisë “Kurti” për shkak të dyshimeve për manipulim votash, mbi të tjera, Bajrami pretendon se ka qenë në listë për kandidatë pa dëshirën e tij, derisa partia ia ka shfrytëzuar emrin e tij për të mbledhur vota.

Avokati ka paralajmëruar se do t’u drejtohen institucioneve relevante me kërkesë për pezullimin e procesit të formimit të qeverisë “Kurti”, pas dyshimeve serioze për manipulim të votave nga partia minoritare boshnjake, VAKAT.

Sipas avokatit, tashmë është hapur edhe rast penal në Prokurori ndaj këtij subjekti politik, për shkak të dyshimeve se në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e fundit është përfshirë emri i Enis Bajramit pa vullnetin dhe pëlqimin e tij për të garuar nën siglën e kësaj partie.

“Enis Bajrami ka rezultuar si kandidati me më së shumti vota, duke siguruar mbi 400 vota, të cilat, sipas pretendimeve tona, janë keqpërdorur nga drejtuesit e partisë për të dalë forcë fituese dhe për të siguruar përfaqësim në qeverinë e re”, tha avokati Gjini.

Megjithatë, në një verifikim të shpejt në faqen e KQZ-së, Bajrami i cili ishte në listën e Vakat sipas votave është radhitur i 13-të, me 489 vota, shkruan Zeri.info.

Avokati sqaron se Bajrami asnjëherë nuk ka shprehur kandidaturë apo vullnet për të qenë pjesë e listës zgjedhore të kësaj partie, ndërsa megjithatë emri i tij është përdorur për përfitim politik, çka sipas tij përbën shkelje serioze ligjore dhe zgjedhore.

Për këtë arsye, Enis Bajrami ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve për këtë subjekt politik dhe hetim të plotë të rrethanave të dyshuara të manipulimit të votave.

“Ne kërkojmë që institucionet e Kosovës të veprojnë me urgjencë dhe të mos lejojnë formimin e qeverisë ‘Kurti’ me vota që dyshohet se janë manipuluar nga partneri minoritar i koalicionit”, theksoi avokati, duke shtuar se rasti tashmë është bërë publik dhe kërkon trajtim serioz institucional. /Zëri

Image