Bislimi demanton raportimet për “takime të fshehta” me Gjuriqin, paralajmëron padi
Foto: Laura Hasani

Bislimi demanton raportimet për “takime të fshehta” me Gjuriqin, paralajmëron padi

Aktuale January 07, 2026 - 15:27

Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj raportimeve që, sipas tij, kanë keqinterpretuar qëllimshëm një artikull të gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ), duke shpërndarë dezinformata në opinionin publik.

Në një shkrim të publikuar, Bislimi ka theksuar se gjatë ditës së djeshme disa portale në Kosovë kanë përhapur lajme të pavërteta, duke aluduar në mënyrë të rreme për “takime të fshehta dhe sekrete”, çka ai e ka mohuar kategorikisht.

“Si zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo në çfarëdo kapaciteti tjetër, asnjëherë nuk kam pasur takime ‘të fshehta e sekrete’, e aq më pak me personazhe si Marko Gjuriq”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka sqaruar se as gazeta serioze zvicerane NZZ nuk ka aluduar në asnjë moment për një takim të tillë, duke theksuar se interpretimet e tilla janë produkt i portaleve dhe gazetarëve joprofesionalë, të cilët, sipas tij, kanë keqpërdorur artikullin origjinal.

Bislimi ka shprehur shqetësimin për, siç e ka quajtur, lehtësinë dhe shpejtësinë me të cilën krijohen dhe shpërndahen dezinformatat, me synim informimin e rrejshëm të publikut dhe çorientimin e së vërtetës.

Në fund të reagimit, zëvendëskryeministri në detyrë ka paralajmëruar se dezinformatat e shpërndara në mënyrë të qëllimshme do t’i adresojë përmes ankesave apo padive në institucionet relevante. /Zëri