Vërshimet në Kosovë, IKSHPK-ja njofton se në cilat rajone mund të pihet uji aktualisht e në cilat jo
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka reaguar lidhur me situatën e ujit të pijshëm në vend, pas vërshimeve të shkaktuara si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Nga IKSHPK është thënë se përveç se janë në kontakt me kompanitë e ujësjellësit në çdo rajon, ata kanë marr edhe mostra të rregullta të ujit si dhe përpunimit laboratorik të tyre.
Kësisoj, IKSHPK-ja ka njoftuar edhe se cilat fabrika në rajonet e Kosovës janë jashtë funksionit. Kështu, fabrikat në Shkabaj e në Bivolak s’janë duke punuar për shkak të turbullirës, ndërsa sistemi i ujit në Graçanisë dhe Batllavë janë duke punuar normalisht.
Probleme të njëjta ka edhe në rajonin e Prizrenit, ku Burimi i ujit nga “40 bunarët”, nuk është i sigurt për pije por vetëm për larje e higjienë, ndërsa ato në Cvilen dhe Soc,, uji është i përdorshëm.
Uji s’është i pijshëm as në Suharekë e Malishevë, porse është i pijshëm në Dragash.
Njoftimi i plotë nga IKSHPK-ja:
Informatë për gjendjen e ujit të pijes në Kosovë, pas shirave të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) së bashku me qendrat rajonale po e përcjellin nga afër situatën me ujë të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës, pas shirave të fundit.
IKSHPK dhe qendrat rajonale përpos marrjes së mostrave të rregullta dhe të jashtëzakonshme të ujit si dhe përpunimit laboratorik të tyre, janë edhe në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë e ujësjellësit në çdo rajon dhe po punojnë që qytetarët të kenë ujë të sigurt për pije sa më shpejtë.
Sot, më datë 7 janar 2026, gjendja e furnizimit me ujë të pijes në Kosovë është kjo:
Rajoni i Prishtinës
Fabrika e ujit në Shkabaj (Shkabaj/Shkabaj) nuk punon për shkak të turbullirës së madhe të ujit në hyrje të fabrikës. Fabrika në Bivolak gjithashtu nuk punon për të njëjtën arsye. Sistemi i ujit në Graçanicë/Badovc punon normalisht. Sistemi në Albanik/Batllavë punon normalisht. Uji në rrjet po kontrollohet vazhdimisht. Për momentin nuk ka probleme me cilësinë e ujit të pijes.
Rajoni i Prizrenit
Burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit është lëshuar vetëm për nevoja sanitare (larje dhe higjienë), por nuk është i sigurt për pije. Burimet e tjera, si Cvilen dhe Soc, uji është I përdorshëm. Në Suharekë dhe Malishevë, uji i rrjetit është jashtë përdorimit për pije. Në Dragash deri tani nuk ka probleme me ujin e pijes.
Rajoni i Gjilanit
Në qytetin e Gjilanit, uji i pijes është në rregull.
Në Kamenicë, në fshatin Berivojcë, janë vërejtur nitrate të rritura. Qytetarët janë udhëzuar që të mos e përdorin ujin për pije.Në Viti, përdorimi i ujit është ndërprerë për shkak të turbullirës.
Rajoni i Pejës
Pas reshjeve të shiut, janë paraqitur turbullira në disa burime të ujit: Në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë, furnizimi me ujë është ndërprerë që nga dita e djeshme. Për të siguruar ujë më të pastër, janë futur në përdorim puset ekzistuese. Në komunën e Pejës, janë vërejtur turbullira në burimin e Drinit të Bardhë në Radac. Sot situata në Radac është përmirësuar dhe furnizimi me ujë vazhdon normalisht.
Rajoni i Ferizajt
Gjendja e ujit të pijes në Ferizaj është raportuar se është brenda standardeve dhe i sigurt për pije.
Rajoni i Gjakovës
Furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për pije. Mostrat e kontrolluara në laborator tregojnë se uji është pa baktere të dëmshme. Probleme ka pasur në disa burime lokale si: Rekë e Keqe, Demjan, Opterushë, Hoqe e Madhe, Zaqishtë dhe Hoqe e Madhe. Në këto vende gjendja vazhdon e njëjtë dhe uji nuk duhet të përdoret për pije.
Rajoni i Mitrovicës
Sipas informatave nga KRU Mitrovica, uji ende nuk është dhe nuk do të lëshohet për pije për një periudhë të caktuar, sepse turbullira e ujit është shumë e madhe dhe nuk mund të trajtohet si duhet. Për këtë arsye, uji aktualisht nuk është i sigurt për konsum human.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) rekomandon qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin e tyre:
Qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur (për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik), rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt.
Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut.
Shfrytëzoni ujin vetëm nga burimet e sigurta.
Ndiqni udhëzimet zyrtare për përdorimin e ujit në komunën tuaj.