Gjendje e jashtëzakonshme në Junik, ekipet emergjente në terren
Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga udhëheqja komunale e Junikut pas vërshimeve në këtë komunë ekipet emergjente janë duke e bërë të pamundurën për sanimin e dëmeve të shkaktuara me këtë rast, kryesisht në infrastrukturë. Ekipet intervenuese gjatë gjithë kohës janë në terren në përpjekje për të zhbllokuar rrugën kryesore që lidh këtë komunë me fshatrat Gjocaj dhe Jasiq dhe bjeshkët e Gjeravicës.
“Pjesa më e madhe e dëmtimeve është në zonën e Bjeshkës së Juniku kryesisht në rrugën që shpie për Gjeravicë ku pas daljes së disa përroskave nga shtrati i tyre kanë shkaktuar rrëshqitje të mëdha të dheut. Këtu konkretisht jemi në fshatin Jasiq ku është një rrëshqitje e madhe e dheut ku për pasojë është bllokuar tërësisht rruga. Këtu ekipet emergjente janë në teren për të ofruar mbështetjen e tyre. Po ashtu kemi angazhuar edhe disa kompani të cilat po bëjnë sanimin e këtyre dëmtimeve gjatë këtij aksi në mënyrë që rruga të jetë e kalueshme për kalimtarët. Fatmirësisht nuk kemi dëme në ekonomitë familjare kështu që të gjitha dëmet kanë të bëjnë me infrastrukturë dhe me kulturat bujqësore në komunën e Junikut”, tha Demokrat Ganijaj, shef i Shtabit Emergjent në Junik.
Në anën tjetër edhe në shumë fshatra të komunës së Gjakovës disa rrugë vazhdojnë të jenë të bllokuara duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve.
“Të reshurat e kanë bërë të veten, këtu ndahen dy mëhallë po krejt katundi me Nivokaz. Autobusi që qarkullon këtu është ndërprerë siç po e shihni edhe vet, gypat janë shumë të kahershëm, të vjetër, jemi ankuar disa herë nuk kanë marr kurrfarë masa siç po shihet kështu që jemi të bllokuar totalisht”, tha Sylë Rexhaj nga Dobroshi.
Ndryshe, sipas zyrtarëve të komunës në Gjakovë gjendja e krijuar pas përmbytjeve të fundit është duke u menaxhuar nga ekipet emergjente në teren 24 orë.
Vetëm gjatë natës së kaluar këto ekipe kanë evakuuar rreth 20 familje duke i vendosur në vende të sigurta./rtk