Qytetarët pranojnë SMS se duhet të paguajnë gjoba, policia: Mos jepni të dhëna
Foto: Laura Hasani

Qytetarët pranojnë SMS se duhet të paguajnë gjoba, policia: Mos jepni të dhëna

Aktuale January 07, 2026 - 22:19

“Sipas Ligjit për Trafikun Rrugor të Kosovës, ndaj jush është regjistruar një shkelje në trafik dhe është lëshuar gjobë”, thuhet në SMS.

Këso mesazhe qytetarët e Kosovës pranuan shpesh së fundmi.

Një numër i panjohur po u dërgon atyre njoftime kinse nga Policia se janë të obliguar të paguajnë gjoba trafiku.

Mirëpo vet Policia e Kosovës ka alarmuar për këto mesazhe, duke i konsideruar ato si mashtrim.

“Policia e Kosovës thekson nuk ka dërguar mesazhe të tilla si dhe: U bëjmë thirrje qytetarëve që: të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë; të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare, të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve, të fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese dhe nëse kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, menjëherë ta raportojnë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës. Po ashtu, rasti duhet të raportohet edhe në stacionin policor më të afërt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi thotë se ky institucion ka kapacitetet e nevojshme që t’a hetojë prejardhjen e këtyre SMS-ave.

“Jam i bindur që njësiti i cili ekziston në kuadër të Policisë së Kosovës që merret me hetimin e këtyre krimeve jam i bindur që së shpejti do të dalin dhe ta vërtetojnë prejardhjen e tyre dhe të vërtetojnë kush janë ata persona që përcjellin mesazhe të tilla që te qytetarët me të drejtë edhe sjellin një shqetësim. Mirëpo sqarimi i Policisë që ju ka dhënë qytetarëve është i mirëpritur dhe mirëseardhur”, është shprehur Maliqi.

Kurse, eksperti i sigurisë kibernetike vlerëson se duhet ndërgjegjësim më i madh i shoqërisë që mos të hapin fare mesazhet e tilla.

“Edhe Policia e Kosovës do duhej të ndërvepronte së bashku në këtë rast me operatorët e telefonisë mobile për të marrë masat respective për ndalimin e shpërndarjs së quajtur Balc Message dmth është kur mesazhe të tilla në mënyrë masovike shpërndahen te shfrytëzuesit fundorë. Normalisht që Policia mund të arrijë të identifikojë në masë të konsiderueshme por kjo do të varet nga resurset momentale”, ka thënë Hoxhaj.

Këso mesazhe qytetarët e vendit kanë raportuar në vazhdimësi./teve1