Fluks në dalje të Kosovës, pritje mbi një orë
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar raportin më të fundit mbi gjendjen e fluksit në pikat e kalimit kufitar të Kosovës, sipas të cilit, në shumicën e pikave qarkullimi po zhvillohet pa vonesa të theksuara, ndërsa pritje më të gjata janë evidentuar në disa dalje nga vendi.
Sipas të dhënave të përditësuara në orën 15:48, pritjet më të mëdha për automjetet po regjistrohen në pikën kufitare Jarinjë, ku në dalje koha e pritjes arrin nga 80 deri në 90 minuta, ndërsa kolona e automjeteve shtrihet deri në 800 metra.
Gjendje e ngarkuar është raportuar edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ku në dalje pritjet variojnë nga 40 deri në 50 minuta, me kolona që arrijnë deri në 250 metra, ndërsa në hyrje pritjet janë nga 20 deri në 30 minuta.
Në pikën kufitare Merdarë, pritjet në dalje janë nga 40 deri në 60 minuta, me kolona rreth 500 metra, ndërsa në hyrje pritjet janë më të shkurtra, nga 5 deri në 10 minuta.
Në pikat e tjera kufitare, përfshirë Bërnjak, Glloboçicë, Hani i Elezit, Kullë, Muçibabë, Mutivodë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Stançiq dhe Vërmicë, raportohen pritje minimale prej 3 deri në 5 minuta, pa kolona të automjeteve.
Sa i përket qarkullimit të kamionëve, në të gjitha pikat kufitare gjendja paraqitet e qetë, me pritje prej 3 deri në 5 minuta si në hyrje ashtu edhe në dalje dhe pa kolona të regjistruara.
Autoritetet u rekomandojnë qytetarëve dhe operatorëve të transportit që, para nisjes, të informohen rregullisht për gjendjen në pikat kufitare dhe të planifikojnë udhëtimin duke shmangur oraret me fluks të shtuar./Zëri
