Përmbytjet në Shqipëri, Begaj: Në këto momente të vështira, jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj ka thënë se po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga reshjet intensive në Shqipëri.
Ai tha se është në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, me Strukturat e Emergjencave Civile, si dhe me Forcat e Armatosura, për përballimin e situatës së përmbytjeve.
Begaj tutje u shpreh se në këto momente të vështira, jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka, përcjell Klankosova.tv.
“Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga reshjet intensive në vend. Jam në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, me Strukturat e Emergjencave Civile, si dhe me Forcat e Armatosura, për përballimin e situatës së përmbytjeve”.
“Ftoj qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim, me qëllim që kjo situatë të kalojë me sa më pak pasoja. Ftoj në mënyrë të veçantë banorët e zonave të përmbytura të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse për një evakuim të shpejtë dhe të sigurt. Në këto momente të vështira, jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka”, tha ai.