AUV-i izolon 15 kg Mozzarella Bufalo për dyshim për prani të aflatoksinës M1

AUV-i izolon 15 kg Mozzarella Bufalo për dyshim për prani të aflatoksinës M1

Aktuale January 09, 2026 - 10:55

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka izoluar 15 kilogramë të produktit djathë Mozzarella Bufalo, i prodhuar nga qumështi i buallicës me origjinë nga Italia, pasi dyshohet për praninë e mundshme të aflatoksinës M1.

Produkti në fjalë është prodhuar nga kompania italiane Caseificio Coop. "La Contadina" dhe është importuar nga Premio SHPK, Sllatinë e Madhe. Sipas AUV-it, së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit të këtij produkti për të parandaluar rreziqet shëndetësore ndaj konsumatorëve.

Agjencia thekson se ky veprim është ndërmarrë për garantimin e sigurisë ushqimore dhe për respektimin e standardeve të cilësisë së ushqimit. Pavarësisht mungesës së disa inspektorëve, AUV-ja vijon monitorimin e tregut dhe zinxhirit ushqimor, duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese për të siguruar që qytetarët e Kosovës të kenë ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm.

Ditë më parë, Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin i Komisionit Evropian (RASFF) ka njoftuar se në Kosovë është shpërndarë Mozzarela e kontaminuar me Aflatoksinë M1. /Zëri