Sindikata e Policisë: Familjet e policëve të rënë nuk janë paguar gjatë dhjetorit
Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me atë, siç thotë SPK-ja, mospagesën e familjeve të policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor.
Kjo sindikatë, përmes një njoftimi për media, tha se edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290.000 eurove, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave.
Si pasojë, thekson SPK-ja, familjet e policëve të rënë në detyrë kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit, transmeton Klankosova.tv.
Sindikata u bëri thirrja institucioneve përgjegjëse të gjejnë zgjidhje sa më parë.
“Kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e SPK-së.
“Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve. Sakrifica e policëve të rënë në detyrë nuk duhet dhe nuk guxon të harrohet”.