Kurti: Rexha e Nuhiu, simbol i rezistencës kombëtare për lirinë e Kosovës

Kurti: Rexha e Nuhiu, simbol i rezistencës kombëtare për lirinë e Kosovës

Aktuale January 11, 2026 - 13:41

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 42-vjetorin e rënies së Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, dy veprimtarë të shquar të lëvizjes politike dhe kombëtare shqiptare, të vrarë më 11 janar 1984 gjatë një aksioni të policisë jugosllave në Prishtinë.

Në një postim të tij, Kurti rikujton se mbrëmjen e 11 janarit 1984, policia jugosllave rrethoi një shtëpi në lagjen Vranjec të Prishtinës, e njohur sot si Kodra e Trimave, ku Malaj dhe Berisha ishin strehuar. Sipas tij, të dy rezistuan të armatosur dhe pas mesnate u vranë, duke u shndërruar në simbol të rezistencës dhe flijimit për liri në Kosovën e asaj kohe, nën Jugosllavi.

Kurti thekson se Rexhep Malaj ishte anëtar udhëheqës i organizatës ilegale Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ), ndërsa Nuhi Berisha ishte udhëheqës i Shtabit Operativ të LRSHJ-së për Universitetin e Prishtinës. Ai rikujton se dy veprimtarët kishin jetuar në ilegalitet që nga tetori i vitit 1983, pasi ishin identifikuar dhe po ndiqeshin nga shërbimi sekret jugosllav.

Në publikimin e tij, kryeministri ndalet edhe te biografitë e dy veprimtarëve. Rexhep Malaj, i lindur më 29 mars 1951 në Hogosht të Kamenicës, ishte përjashtuar nga shkolla që si gjimnazist për shkak të aktivitetit politik dhe kishte kaluar vite të tëra në burgjet jugosllave, pas dënimit me nëntë vjet burg në një proces gjyqësor ku ishte gjykuar edhe Adem Demaçi. Ndërkaq, Nuhi Berisha, i lindur më 3 tetor 1961 në Svircë të Kamenicës, ishte aktiv në lëvizjen studentore dhe në organizimin e demonstratave të vitit 1981, para se të migronte në Zvicër dhe të kthehej në Kosovë në vitin 1983.

Kurti përmend se rënia e Malajt dhe Berishës u pasqyrua edhe në shtypin ilegal të kohës, përfshirë gazetën “Zëri i Kosovës”, e cila në shkurt të vitit 1984 raportonte për rezistencën e tyre me titullin “Qëndresë heroike në Prishtinë”.

Po ashtu, sipas Kurtit, veprimtaria e dy patriotëve është dokumentuar edhe përmes shkrimeve të tyre. Rexhep Malaj ka lënë pas ditarin e burgut “Qëndresa”, ndërsa Nuhi Berisha librin me kujtime “Pranverë e luleve të kuqe”, të cilat përbëjnë dëshmi të rëndësishme për rezistencën shqiptare nën Jugosllavi.

Në përfundim të publikimit të tij, kryeministri Albin Kurti ka nderuar figurën e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, duke i cilësuar si shembull të angazhimit dhe flijimit për lirinë e Kosovës, në 42-vjetorin e rënies së tyre.