Hajdari: Jam e pafajshme, aktakuza është tendencioze

Hajdari: Jam e pafajshme, aktakuza është tendencioze

Aktuale January 13, 2026 - 12:47

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka folur sot pas seancës gjyqësore në lidhje me aktakuzën për rezervat shtetërore.

Hajdari tha se ndihet e pafajshme dhe shtoi se aktakuza ndaj saj është një proces tendencioz nga Prokuroria Speciale, që sipas saj, shkel çdo procedurë, transmeton Zeri.info.

“Përkundër që unë ndihem krejtësisht e pafajshme, sepse është një proces tendencioz nga Prokuroria Speciale, duke shkelur çdo procedurë ligjore, duke shkelur Ligjin për rezervat shtetërore dhe Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, ka iniciuar këtë aktakuzë kundër meje”, deklaroi Hajdari.

Ajo përmendi që rezervat shtetërore janë konsoliduar në një kohë shumë të vështirë dhe se qytetarët e Kosovës s’kanë arsye të brengosen rreth rezervave.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të shqetësohen për konsolidimin e rezervave shtetërore të cilën e kemi rritur në qeverinë ‘Kurti 2’, në kohën më të vështirë kur rezerva shtetërore ishte e pakonsoliduar dhe jo në funksion të përgjigjes ndaj qytetarëve, në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur me shpërthimin e luftës në Ukrainë dhe nuk kishte eksport të produkteve bazike për jetesën e qytetarëve tanë”, tha Hajdari. /Zëri