Analistët: Partitë të bëjnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit
Foto: Laura Hasani

Analistët: Partitë të bëjnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit

Aktuale January 13, 2026 - 15:15

Partitë politike në vend duhet të bëjnë marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të shtetit ose të propozohet një kandidat jopolitik, në mënyrë që të mos këtë bllokada institucionale dhe shkuarje në zgjedhje të reja. Kështu vlerësojnë njohës të fushës së politikës në vend.

Zgjedhja e presidentit të ri të vendit është temë diskutimi ditëve të fundit në vend. Me afrimin e afateve kushtetuese, analistët politikë po vlerësojnë se një marrëveshje politike ndërmjet partive, është zgjidhja e vetme.

Mazllum Baraliu, njohës i politikës, i tha Radio Kosovës së vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje dhe se partitë politike duhet të gjejnë një marrëveshje në mënyrë që të mos përsëriten krizat e vitit të kaluar.

“Nuk duhet të këtë zgjedhje të tjera. Nuk duhet të ketë krizë në zgjedhjen e presidentit, por përkundrazi një marrëveshje e cila mund të arrihet shumë shpejt me mirëkuptim. Unë besoj që të gjitha partitë politike kanë marrë mësim të mjaftueshëm që interesi shtetëror të jetë prioritet, e jo interesi i ngushtë partiak dhe politik. Duhet të gjendet një marrëveshje për votimin e presidentit të ardhshëm kushdo që të jetë, e jo të krijohet kriza e radhës e cila mund të jetë fatale për shtetin", tha Baraliu.

Kompromis dhe përgjegjësi politike nga të zgjedhurit e popullit po kërkon edhe njohësi tjetër i çështjeve politike në vend, Blerim Burjani.

Ai tha për Radio Kosovën se partitë politike duhet të bëjnë marrëveshje politike para afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

“Unë mendoj se pa konsensus ndërpartiak, as opozita dhe as pozita nuk duhet të shkojnë fare në seancë. Nuk duhet asnjë seancë e tillë, pa u marrë vesh. Nëse s’ka marrëveshje, s’ka asgjë. Unë mendoj, se opozita mund të lëshojë pe vetëm në një temë; nëse zgjidhet një president me jokonsensus, por nëse zgjidhet me konsensus në rregull edhe ai duhet me qenë jopolitik sipas tyre", tha Burjani.

Edhe partitë opozitare në vend vlerësojnë së arritja e një marrëveshjeje politike është e domosdoshme për zgjedhjen e presidentit të vendit, që duhet të zgjidhet më së largu deri në fillim të muajit mars të këtij viti.

Më herët, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një përgjigje për media, ka thënë se duhet të gjendet një figurë unifikuese për zgjedhjen e presidentit, që sipas tij, duhet konsensus politik. Ai tha se nuk do të përkrahë asnjë kandidat për president pa marrëveshje politike. Të domosdoshme arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit e kanë kërkuar në vazhdimësi edhe partitë e tjera politike në vend.