Haradinaj pas takimit me Sorensen: Çmova rolin e BE-së, shpalosa qëndrimin e AAK-së për krijimin e institucioneve të reja
Foto: Facebook

Haradinaj pas takimit me Sorensen: Çmova rolin e BE-së, shpalosa qëndrimin e AAK-së për krijimin e institucioneve të reja

Aktuale January 14, 2026 - 13:40

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Ky i fundit erdhi në Kosovë për të nisur vitin me këtë vizitë pune dhe deklaroi se është optimist se ky vit i ri se do të sjellë progres në proces.

Haradinaj tha se emisarin evropian e ka njoftuar me qëndrimet e partisë së tij për formimin e institucioneve të reja, ndërsa i ka shprehur mirënjohje Bashkimit Evropian për rolin ndaj Kosovës.

“Sot prita Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, z. Peter Sorensen. Në takim çmova rolin e tij dhe të Bashkimit Evropian, duke theksuar po ashtu rëndësinë e partneritetit BE–SHBA për sukseset e arritura në Kosovë dhe në rajon. E njoftova z. Sorensen për qëndrimin e Aleancës për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet, si dhe për angazhimin tonë në rikthimin e vendit në rrugën e integrimit euro-atlantik”, shkroi Haradiaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Takimin me Haradinajn, Sorenseni e pati të fundit në kuadër të takimeve të tij me liderët e partive politike, të cilët i takoi me radhë pas takimeve që pati me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. /Zëri