Analistët vlerësojnë se dorëheqja e Abdixhikut nuk do të pranohet
Mbrëmjen e së martës pas takimit mbi 5 orësh, kreu i LDK-së doli edhe para medieve.
Lumir Abdixhiku deklaroi se në këtë takim ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të dorëzon dorëheqjen pas rezultatit të zgjedhjeve të 28-dhjetorit.
E për këtë, analistët vendor janë të ndarë në mendime nëse do t’i pranohet dorëheqja.
Sipas njohësit të politikës, Tomorr Avdiu, Abdixhiku me deklaratën e tij ka lënë të nënkuptohet se do të ketë një debat të brendshëm, por mund të kërkohet edhe reforma.
“Ishte një deklarim i cili e lënte një debat të brendshëm në Kuvendin e LDK-së, jo në kryesi. Dhe ky debat besoj se i bën që Kuvendi i LDK-së, do të japin rezultat, rezultat që pritet të ketë edhe vendime të cilat e gjithë struktura e këtij subjekti politik është duke e pritur, sepse pasa atyre rezultateve përgjegjësit duhet të etiketohen dhe duhet të adresohen saktësisht, ku? Dhe elektorati kërkon përgjigj dhe kërkon një reformë, riorganizim ose frymë ndryshe”, shprehet Avdiu.
Ndryshe mendon profesori i Shkencave të Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Avdi Smajljaj, i cili thotë se Abdixhiku do duhej të jepte dorëheqje qysh në ditën e parë.
Smajljaj theksoi se deklarata e kreut të LDK-së, se për këtë duhet të vendos Kuvendi, është vetëm sa për të larguar dështimin nga ana e tij.
“Mendoj se dorëheqja do duhej të vinte automatikisht, si reflektim i përgjegjësisë duke qenë në krye të një subjekti politik që i ka humbur zgjedhjet. Ka humbur më shumë se sa partitë tjera. Kjo do të ishte dorëheqja që ka nevojë Lidhja Demokratike e Kosovës, mendoj se do të reflektonte një përgjegjësi të lidershipit të LDK-së”, thotë ai.
Se vendimin për t’u dorëhequr ose jo duhet ta merr Kuvendi i LDK-së, e thotë Avdiu.
“Vendimet është mirë të shqyrtohen në këto mekanizma pasi që dihet se LDK është anëtare e PPE-së, Partia Popullore Evropiane dhe si parti e tillë me një frymë konservatore i respekton rregullat dhe principet të cilat është normë që duhet të realizohen nga cdo subjekt politik përfshirë LDK-ja e cila ka pas ndërrim të krerëve politik” , vlerëson ai.
Disa nga anëtarët e LDK-së, kanë deklaruar publikisht se nuk do ta pranojnë dorëheqjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ky i fundit, të martën tha se javën e ardhshme do të thirret Kuvendi i LDK-së.