Skenë ekzekutimi mbi popullin që faj nuk kishte, Hajrie Mehmeti rrëfen tmerrin e 27 vjetëve më parë në Reçak
Në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit 1999, kur familjarët po përpiqeshin të shpëtonin duke u ngjitur rrugëve të fshatit, Reçaku u shndërrua në skenë ekzekutimesh, ku u vranë 45 civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe axha Bajrami, vajza e tij dhe rreth 30 të afërm të Hajrie Mehmetit.
Në përvjetorin e 27-të të kësaj masakre, Mehmeti ka rrëfyer dhimbjen dhe humbjet e familjes së saj, duke thënë se drejtësia për civilët e vrarë ende nuk ka ardhur, pavarësisht se ata u vranë pa asnjë faj.
Ajo tregoi se familjarët e saj u ekzekutuan gjatë përpjekjes për t’u larguar nga fshati në mëngjesin e sulmit.
“Axhën ma kanë mbytë me gjithë çikë, Bajram dhe Hanumshahe Mehmetin. Kanë ardhë në katun atë natë, në mëngjes herët i kanë vra rrugës duke u ngjitë përpjetë duke ikur. Prind e këta tjerët krejt i kemi pasur në Dremjakë”, tha ajo për Ekonominë Online.
Duke përshkruar kushtet e asaj dite dhe dhunën e ushtruar ndaj familjes së saj, ajo tha se dimri kishte qenë i ashpër dhe se edhe vëllai i saj kishte qenë në rrezik të menjëhershëm.
“Ftoftë ka qenë dimri, edhe vëllain e kam pasur këtu edhe atë kanë qenë duke e mbytë për pak. Djalin e axhës e kanë plagosur sot e atë ditë nuk ka ecë. Kushëri të tjerë ma gati 30 të tjerë janë që janë vrarë, gati 30 vetë janë që janë vrarë”, tha ajo.
Mehmeti theksoi se familjet e viktimave vazhdojnë të presin drejtësi edhe pas 27 vjetësh nga krimi.
“S’ka drejtësi për ta, dëshira ime është që ta dalë në shesh drejtësia për ta se pa asgjë janë mbytë. Civilë të pafajshëm kanë qenë po që ende asgjë nuk ka”, tha ajo.
Sot është shënuar 27-vjetori i masakrës së Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, që mbetet plagë e hapur në kujtesën kolektive të vendit.
Më 15 janar 1999, forcat policore serbe, njësitë ushtarake dhe formacionet paramilitare serbe hynë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë.
Viktimat u ekzekutuan në rrethana që tronditën opinionin vendor dhe ndërkombëtar.
Masakra u bë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të atëhershëm të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili, pasi pa nga afër trupat e pajetë të civilëve, ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Reçaku u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment kyç që ndikoi në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për realitetin e luftës, duke hapur rrugën për zhvillime vendimtare në fundin e saj.