Kosovari hero në Zvicër, shpëton të moshuarit nga zjarri në shtëpinë e pleqve
Një ndërhyrje e shpejtë dhe e guximshme e një kosovari ka parandaluar një tragjedi të mundshme në një shtëpi pleqsh në Pfaffikon (SZ)
Bëhet fjalë për Ibrahim Selimi 41-vjeçar duke përdorur një zorrë uji kopshti, arriti të shuajë zjarrin para se flakët të përhapeshin më tej.
Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 15:30 në qendrën e kujdesit “Roswitha”.
Selimi, i cili po punonte në zonë së bashku me bashkëshorten e tij Fatlindën 38-vjeçare, vuri re flakë në një ballkon të objektit. Pa hezitim, ai reagoi menjëherë.
Fillimisht u përpoq ta shuante zjarrin me borë, por pa sukses. Më pas, i kujtohet se në automjet kishte një zorrë uji që përdoret për ujitjen e kopshtit të cilën e përdori për të shuar flakët.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij njoftoi policinë dhe paralajmëroi stafin e shtëpisë së pleqve dhe banorët për rrezikun.
Referuar Policisë Kantonale të Schwyz-it, zjarri u shua para mbërritjes së zjarrfikësve.
Dy gra, të moshës 45 dhe 61 vjeç, u dërguan në spital për kontroll mjekësor për shkak të ekspozimit ndaj tymit. Fatmirësisht, nuk raportohet për pasoja serioze, transmeton tutje albinfo.ch.
Autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit, i cili dyshohet se është shkaktuar nga një cigare e ndezur. Drejtuesi i shtëpisë së pleqve falënderoi çiftin Selimi për reagimin e shpejtë dhe veprimin e matur, duke theksuar se falë tyre u shmang më e keqja.
Vetë Ibrahim Selimi nuk e quan veten hero.
“Bëra vetëm atë që ishte e nevojshme”, tha ai për Blick.