Spiropali në Kiev: Dënojmë krimet e Rusisë, paqe e qëndrueshme
Shqipëria mbetet e palëkundër në mbështetjen e saj ndaj Ukrainës. Gjatë vizitës në Kiev, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, dënoi sulmet ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës kritike ndërsa nënvizoi rëndësinë e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Shqipëria i dënon këto krime pa asnjë rezervë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim, asnjë paqartësi përballë një agresioni kaq brutal. Ne jemi rreshtuar plotësisht me sanksionet dhe masat kufizuese të BE-së, si edhe me ato të organizatave të tjera ndërkombëtare, kemi mbështetur integrimin evropian të Ukrainës dhe kemi përkrahur të gjitha nismat për pezullimin e Rusisë nga organizatat ndërkombëtare.”
Ministri I jashtëm I Ukrainës, Andri Sybiha, vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndërsa u ndal tek perspektiva europiane e dy vendeve.
“Sot diskutuam një një sërë cështjesh mbi bashkëpunim dypalësh dhe rrugën tonë të përbashkët drejt Bashkimit Europian. Shqipëria mbetet partneri ynë kyc në këtë rajon dhe një partner shumë aktiv në formatin Ukrainë-Evropë Juglindore. E vlerësoj Shqipërinë për mbështetjen e palëkundur në kundërshtimin e agresionit rus dhe kryeministrin Edi Rama për qëndrimin e tij të fortë gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.”
Spiropali dhe Sybiha nënshkruan një deklaratë të përbashkët që dënon agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës si një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe normave të së drejtës ndërkombëtare.
Gjatë qëndrimit në Kiev, Spiropali u prit edhe nga presidenti Volodimir Zelensky i cili i akordoi dekoratën e Urdherit të Princeshes Olga, në shenjë mirënjohjeje për bashkepunimin ndërshtetëror. /abcnews