Enis Osmani emërohet nënkryetar në Komunën e Mitrovicës

Enis Osmani emërohet nënkryetar në Komunën e Mitrovicës

Aktuale January 16, 2026 - 11:10

Enis Osmani është emëruar nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, të cilën komunë e fitoi në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Faton Peci. Rrjedhimisht, Osmani konsiderohet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Pecit, ku edhe vetë ai është shprehur mirënjohës ndaj mikut të tij, duke shkruar “shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, kryetarin e Komunës, z. Faton Peci”.

“Me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, ju njoftoj se jam emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Ky emërim përfaqëson nderin më të madh të jetës sime dhe njëkohësisht obligimin për t’i shërbyer interesit publik, duke ofruar qeverisje të mirë të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarit. Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, Kryetarin e Komunës, z. Faton Peci, për besimin e dhënë dhe për mundësinë që të punojmë së bashku për realizimin e projekteve zhvillimore për Mitrovicën. Vazhdojmë kështu rrugëtimin e përbashkët, në një bashkëpunim të ndërsjellë, të ndërtuar me korrektësi dhe sinqeritet, për më shumë se një dekadë. Jam i bindur se vizioni, përvoja dhe lidershipi i tij janë një garancë e fortë për zhvillimin e madh të qytetit tonë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social “Facebook”.

Ai është zotuar se gjatë mandatit të tij në krye të kësaj pozite, çdo veprim do të udhëhiqet nga interesi publik.

“Unë besoj se qeverisja e mirë nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por një kontratë me qytetarët për shërbime cilësore komunale dhe për realizimin e projekteve që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve. Prandaj, zotohem se çdo veprim imi do të udhëhiqet nga interesi publik dhe përgjegjësia për vendimmarrje të dobishme për të gjithë qytetarët. Faleminderit për mbështetjen dhe besimin tuaj Na priftë e mbara!”, shkroi Osmani.