Osmani vizitoi familjet e viktimave të masakrës së Reçakut: Dhimbja është shndërruar në qëndresë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar dje në Reçak dy familje, të cilat humbën familjarët e tyre në masakrën e Reçakut.
E para e shtetit ka thënë se historia e këtyre familjeve është plagë e hapur.
Derisa presidentja tha se në këto vatra dhimbja nuk është shuar, por është shndërruar në qëndresë.
“Dje në Reçak vizituam dy familje, te të cilat historia është plagë e hapur. Familja Kamberi dhe ajo Ismajli janë të goditura rëndë nga humbja e familjarëve në masakrën e Reçakut. Në këto vatra dhimbja nuk është shuar, por është shndërruar në qëndresë. Hazbi Kamberi, i plagosur 15-vjeçar, dhe babai i tij, i masakruar mizorisht sepse nuk e braktisi shtëpinë, shpërfaqin të vërtetën që nuk mund të fshihet asnjëherë. Ndërkaq Muhamet Ismajli, pësoi me 6 kushërinjtë e tij në masakër, teksa fati i Sahides nga kjo familje ende mbetet i pazbardhur, ndonëse varri i saj është i hapur”, ka thënë Presidentja.
Ajo tutje u shpreh se e vërteta e pamohueshme dhe e përhershme është themeli i Kosovës.
“Reçaku jeton në secilën nga këto familje, në secilën derë që krimi nuk arriti ta mbyllë, në secilën zemër që refuzon harresën, në fëmijët e të rinjtë që tregimin për Reçakun do ta përcjellin brez pas brezi. Kosova qëndron mbi këtë sakrificë. E vërteta e pamohueshme dhe e përhershme është themeli ynë”, ka shkruar Presidentja.